Të shtënat me armë në Top Channel, gazetarja tregon detaje: Roja tjetër ishte larguar për pak minuta kur ndodhi sulmi

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të tjera rreth ngjarjes së rëndë në Top Channel, ku mbeti i vrarë roja Pal Kola.

Ajo ka thënë se autorët kanë qëlluar në gjithë fasadën e katit të dytë dhe në atë moment ka pasur njerëz brenda, të cilët kanë qenë të rrezikuar.

Ndërkohë, ajo ka bërë me dije se roja tjetër ka lëvizur për pak momente kur ndodhi sulmi, ndërsa i ndjeri Pal Kola ka qenë i ulur në kabinën e tij.

Lala tha se autorët kanë qëlluar në ecje e sipër, ndërsa nuk dihet ende kush qëndron pas ngjarjes.

“Një automjet i vjedhur në Shkodër disa kohë më parë, ka ardhur nga ura e Kasharit. Fiks në mesin e godinës është qëlluar gjithë fasada e katit të dytë, nga rreth 15 m.

E them se media asnjëherë nuk është bosh dhe të gjithë ata që kanë qenë brenda kanë qenë të rrezikuar. Roja ka qenë brenda kabinës së tij dhe ka qenë i ulur. Njëri nga rojet në momentin që ka ndodhur sulmi është larguar për pak minuta.

Automjeti më pas është larguar në rrugë dytësore dhe ka marrë drejtimin drejt Kavajës, ku edhe është gjetur i djegur. Është qëlluar në ecje e sipër, pra nuk kanë zbritur në tokë. Hetuesit janë duke parë të gjithë dinamikën. Deri tani nuk mund të flasim për një autor në lidhje këtë ngjarje. Shihet si një sulm i hapur ndaj medias.

Sot në ambientet e jashtme të Top Channel kam parë një klimë të ftohtë dhe një klimë pasigurie. Është përdorur një automjet Range Rover dhe është djegur në mes të rrugës si për të thënë krimi është mbi të gjithë. Ndaj edhe kjo ngjarje duhet hetuar sepse në të kundërt mund t’i japë zë krimit për t’u përsëritur”, tha gazetarja Klodiana Lala.

/albeu.c