Etrit Berisha largohet nga Torino, zgjedh ekipin e ri

Etrit Berisha më në fund pritet që të largohet nga Torino. Gardiani nga Prishtina nuk luan prej më shumë se 1 viti në Itali, teksa ndeshjen e fundit e ka regjistruar në 20 maj të vitit të shkuar.

“Fotomac” në Turqi bën me dije se 34-vjeçari ka gjetur akordin dhe pritet të prezantohet te Fatih Karagumruk, skuadër kjo që edicionin e kaluar në Superligën turke u drejtua për shumicën e ndeshjeve nga Andrea Pirlo.

Problemet që ka pasur me trajnerin Ivan Juriç kanë bërë që Berisha mos aktivizohet në asnjë ndeshje edicionin e fundit në Serie A, diçka që e ka penalizuar jo pak, pasi për një periudhë të konsiderueshme ai u detyrua që të stërvitej i diferencuar.

Gardiani do të largohet nga Italia pas plot 10 vitesh, teksa në një dekadë në Serie A ka luajtur me Torinon, Spalin, Atalantën dhe Lazion. Berisha ka luajtur edhe 76 ndeshje me kombëtaren kuqezi të Shqipërisë./Albeu.com.


Shtuar 24.06.2023 14:40