Njohja e Kosovës nga Serbia, Kurti: E domosdoshme të shtohet trysnia nga Perëndimi, do të mund të sillte rezultate

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se një trysni shtesë nga Perëndimi do të mund të sillte rezultate në çështjen e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.

I pyetur nëse Perëndimi po i bën mjaftueshëm trysni Beogradit për ta njohur Kosovën, Kurti tha se është e domosdoshme të bëhen më shumë përpjekje nga ndërkombëtarët në këtë drejtim.

“Kjo është një pyetje shumë e mirë. Unë besoj që është e domosdoshme të bëhet më shumë trysni në Beograd, meqenëse Beogradi ka dëshmuar që pikërisht këtë gjuhë e kupton më së miri. Serbia nuk është shtet demokratik. Atje pushteti bën shumë trysni mbi popullin e vet. Atje nuk pranojnë pluralizëm politik, nuk respektojnë të drejtat e njeriut dhe nuk sundon ligji mbi politikën, por politika mbi ligjin. Andaj, vetëm një përpjekje e përbashkët, me trysni gjithsesi shtesë edhe nga ana e Brukselit, edhe nga ana e Washingtonit, por do të thosha sidomos nga Berlini, Parisi e Roma, do të mund të sillte rezultate”. tha Kurti të martën në një intervistë për programin e mëngjesit në Top channel.

“Është e domosdoshme kjo, pasi që autokratët, bujarinë, gjentilencën e kuptojnë si frikë apo dobësi të palës tjetër. Çfarëdo që i dhe tash Beogradit nga ana e Bashkimit Europian apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata do të trimërohen që të kërkojnë më shumë, edhe të mos heqin dorë nga Kosova, edhe të marrin fonde nga Bashkimi Europian”, ka shtuar Kurti.

Shefi i Qeverisë së Kosovës përsëriti se Serbia po merr fonde nga BE-ja, po armatoset nga Rusia e po merr investime nga Kina. Ai tha se kështu, Serbia po ia del ta marrë edhe tolerancën e SHBA-së.

“Në këto dy vite, Serbia në veçanti ka synuar që të marrë para nga Bashkimi Europian, armatim nga Rusia, investime nga Kina dhe tolerancë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, në njëfarë mënyre të ulet në katër karrige”, tha ai.

Perëndimi, siç thotë Kurti, “duhet t’i tregojë (Serbisë) se kjo nuk është e mundshme më dhe interesat e vlerat, ndonëse nuk janë e njëjta gjë, nuk mund të jenë kështu të shkëputura, siç pretendon Beogradi”./express


Shtuar 29.03.2023 08:30