Diplomati austriak jep alarmin: Rusia ka kapacitet për të ndërhyrë në Ballkan

Nga Pablo León “El Pais

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, 54 vjeç, po viziton Spanjën me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell. Një jurist i diplomuar në Universitetin e Innsbruck-ut dhe me përvojë në shërbimin diplomatik, ai është gjithashtu një ish-kancelar (gjatë 11 tetorit dhe 6 dhjetorit 2021, kur anëtari i Partisë Popullore Austriake (ÖVP) Sebastian Kurz, dha dorëheqjen pas një skandali korrupsioni). Bashkë me shefin e diplomacisë evropiane, Schallenberg mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët, e cila u fokusua tek sfidat e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, “Quo Vadis Evropa?”, organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar Menéndez Pelayo në Santander, Spanjë. “Ajo që vlen për Ukrainën është e vlefshme edhe për Ballkanin. Rusia ka kapacitetin  të ndërhyjë në Ballkan”- deklaroi politikani konservator i ÖVP gjatë një bisedë me “El País”.

Austria është një vend neutral dhe jo anëtar i NATO-s. Kjo do të thotë se ajo nuk i ofron ndihmë ushtarake Ukrainës…

Neutraliteti i Austrisë është i përcaktuar në kushtetutën tonë dhe shumica e qytetarëve e mbështesin atë. Nga ana tjetër, ne jemi neutralë në aspektin ushtarak, por jo në aspektin e vlerave. Kur nisi lufta në Ukrainë, Josep Borrell më tha se do të aktivizonte Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes.

I thashë se nuk kishte asnjë problem: Unë kontribuoj me një abstenim konstruktiv. Në këtë mënyrë ne nuk i pengojmë partnerët tanë të ecin përpara. Dhe ne bashkëpunojmë për ndihmën humanitare që merr Ukraina. Qeveria austriake ka dhënë rreth 150 milionë euro për Ukrainën, por nëse përfshijmë gjithçka, midis kontributeve publike dhe private, shifra është midis 600 dhe 800 milionë euro.

Disa parti austriake që kundërshtojnë çdo lloj ndihme për Kievin. Dhe njëra prej tyre është Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë (FPÖ), e cila kryeson në sondazhet në prag të zgjedhjeve të ardhshme…

Kjo situatë nuk është unike vetëm për Austrinë, sepse ky lloj debati midis qeverisë dhe opozitës qëndron në shumë vende, përfshirë Spanjën. Disa sondazhe e vendosin FPÖ-në në krye, por ne jemi ende më shumë se një vit përpara zgjedhjeve të reja parlamentare. Kemi përjetuar kohë të vështira. Në fillim pandemi dhe më pas një luftë vetëm 500 kilometra larg nga Vjena. Megjithatë me të gjitha këto sfida është përballur qeveria austriake. Ne jemi optimistë. Për këtë mjafton të shihni rezultatet në zgjedhjet e fundit në Spanjë.

Ju thoni se Bashkimin Evropian ka përgjegjësi që të sigurojë vendet e Ballkanit se do të mbeten të lidhura me familjen evropiane. A ka pasur një lloj ndryshimi në qasjen e Brukselit vitet e fundit?

BE-ja është përgjegjëse për vendet fqinje me të. Aq më tepër kur ato ndodhen në zemër të territorit tonë. Është e papranueshme që 20 vjet pas fillimit të anëtarësimeve, asnjë prej tyre nuk është pjesë e BE-së dhe këtu kam parasysh Shqipërinë, Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kjo situatë është shumë zhgënjyese.

Kur Bashkimi Evropian pranoi Greqinë në vitin 1981, ky vend nuk ishte në gjendje të zbatonte të gjitha rregullat ekonomike. Por anëtarësimi u bë për të mbrojtur një demokraci të re. Diçka e ngjashme ndodhi në vitin 1986 me Spanjën dhe Portugalinë. Stili ynë i jetesës po zgjerohej. Pengesat duheshin kapërcyer, por 5 vjet më vonë, Spanja ishte pjesë e Komunitetit Evropian. Mjerisht, kjo gjë nuk ka ndodhur me Ballkanin.

Dhe cilat janë pasojat e kësaj situate?

Ne rrezikojmë të krijojmë një vakum politik, i cili do të zëvendësohet nga një model tjetër. Për këtë arsye eksportimi i stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan duhet të jetë një interes gjeostrategjik për BE-në. Përndryshe, rrezikojmë të importojmë paqëndrueshmëri dhe pasiguri prej andej.

Zgjidhja gjendet tek përfundimi e raportit të fundit të Këshillit Evropian: integrimi horizontal. Deri më tani, ka qenë një integrim total. Nuk kishte një rrugë të mesme. Kjo ishte një qasje e gabuar: i njëjti problem po ndodh me Ukrainën dhe Moldavinë, pasi do të duhen vite për të negociuar anëtarësimin e tyre në union.

A jeni i shqetësuar për ndikimin e Vladimir Putinit në Ballkan?

Rusia e ka aftësinë të ndërhyjë në Ballkan. Ajo përdor lajme të rreme dhe dezinformata për t’i nxitur ballkanasit kundër evropianëve dhe amerikanëve. Moska është në gjendje që të shkaktojë një krizë. Dhe Ballkani është një rajon i paqëndrueshëm. Ka një situatë shumë komplekse në Bosnje-Hercegovinë.

Po ashtu ka pasur destabilitet në Malin e Zi por edhe probleme midis Kosovës dhe Serbisë. Sa më të pranishëm të jemi atje si BE, aq më pak mundësi ka që të ndërhyjnë të tjerët. Ballkani Perëndimor është një provë gjeostrategjike për Bashkimin Evropian.

Një sfidë tjetër është shfaqur në Afrikë me trazirat e radhës në Sahel…

Fuqia e butë evropiane në Afrikë është shumë më e vogël nga sa e mendonim. Pas Malit dhe Burkina Fasos, po shohim se gjendja është jashtëzakonisht e rrezikshme për shkak të pasojave të saj ekonomike, të sigurisë dhe migracionit. Vitin e kaluar, Austria kishte numrin më të lartë të azilkërkuesve për frymë në të gjithë kontinentin evropian.

Ne jemi të rrethuar nga shtete sovrane – disa prej të cilave janë anëtarë të BE-së – dhe vitin e kaluar patëm 112.000 kërkesa për azil. Ajo që po ndodh në Niger është një problem afrikan dhe duhet të ketë një zgjidhje afrikane. Por ne duhet të ndihmojmë në gjetjen e kësaj zgjidhjeje.

A duhet të riformulohen marrëdhëniet e Evropës me Jugun Global?

Në përgjithësi, ne mund të bëjmë shumë më mirë në raport me ta. Ne duhet të bisedojmë me këto vende dhe të përpiqemi t’i kuptojmë, në vend se t’u bëjmë vazhdimisht moral apo japim leksione. Në nivelin politik, ne mund të kishim një strategji të BE-së më të mirë-artikuluar.

Shumica e ministrave të jashtëm evropianë udhëtojnë në të njëjtat vende – Senegal, Afrika e Jugut, ndonjëherë Ruanda – duke lënë në harresë shumë vende të tjera. E njëjta gjë është e vërtetë në Amerikën Latine. Ne mund të bëjmë më mirë duke u koordinuar. Për më tepër,  nuk mund ta marrim si të mirëqenë bashkëpunimin me Jugun Global. Tani, vende si Kina ofrojnë zgjidhjet e tyre dhe ne duhet të konkurrojmë me ata, por edhe të përballemi me narrativat e rreme të Rusisë. Në këtë aspekt ne kemi humbur terren në krahasim me rusët.

Austria sapo ka ndaluar përdorimin e platformës TikTok në telefonat celularë zyrtarë, duke ndjekur hapat e vendeve të tjera si SHBA. A përbën një problem ndërkombëtar platforma kineze e mediave sociale?

Ne i marrim shumë seriozisht raportet në lidhje me TikTok dhe informacionin që mblidhet përmes këtyre shërbimeve. Ky është ndryshimi i madh midis kompanive private në një demokraci dhe sjelljes së tyre në sistemet autokratike. Tek këto të fundit, nuk ka një vijë ndarëse midis kompanisë dhe shtetit. Unë personalisht nuk i përdor rrjetet sociale. /albeu.com


Shtuar 29.08.2023 13:20