“Superkandidatët tanë s’kanë rivalë”, Meta nga Elbasani: Gogoli shpik postera sipas overdozave

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me qytetarët e Elbasanit, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Meta tha se kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” janë supërkandidatë që s’kanë rivale.

Sipas Metës kandidatët e “Bashkë Fitojmë” janë figura me integritet, transparencë dhe me vizion të qartë për t’iu shërbyer qytetarëve.

Kreu i PL-së kritikoi fushatën e elektorale të Partisë Socialsiste, ndërsa tha se kandidatët e opozitës nuk kanë rivalë, pasi përballë kanë një gogol që shpik postera sipas overdozave që kalon nga paniku.

Mesazhi i Metës

Dua të falënderoj kandidatët tanë për këshilltarë për punën e mirë që po bëjnë për të shpjeguar programin tonë dhe programin e superkandidatit tonë Luçiano Boçit. Dua të përshëndes përkushtimin e tij për çështjes shumë të rëndësishme; Përkushtimin e tij për të ndihmuar disa shtresa që kanë qenë tërësisht jashtë vëmendjes, për të ndihmuar studentët dhe përmes aplikimit të kartës së studentëve që është një risi dhe domosdoshmëri për një qendër universitare siç është Elbasani, ku duhen ndihmuar studentët, ashtu si dhe angazhimi i tij për kartën e pensionistit, për moshën e tretë që po vuan si askush tjetër rritjen e çmimeve.
Jo vetëm në drejtim të projekteve të kandidatit tonë për sa i takon shndërrimit të Elbasanit në një atraksion turistik me ide novative, angazhimeve të tij me grupime investitorësh të huaj, operatorësh prestigjiozë, por njëkohësisht dua të theksoj se kudo kandidatët tanë udhëheqin.

Ata udhëheqin në radhë të parë me integritetin e tyre dhe kjo nuk është e rastësishme sepse kanë ardhur nga një proces zgjedhjes, jo emërimesh, jo komandimesh. Së dyti udhëheqin dhe me transparencën e tyre sepse janë në raport të përditshëm me qytetarët. Ajo që është e rëndësishme, ata udhëheqin dhe me vizionin dhe zgjidhjet që japin. Ka një reagim të jashtëzakonshëm në kryeqytet jo vetëm për zgjidhjen e transportit urban, por dhe sa i takon ideve fantastike dhe shumë të thjeshta, por edhe të përballueshme të kostove të tyre nga superkandidati ynë për Tiranën Belind Këlliçi.

Ndërkohë kemi plane të shkëlqyera nga kandidatit tjetër në Durrës, z Igli Cara. Angazhimi i tij gjithashtu për të adresuar më mirë nevojat jetike të ish-komunave të harruara totalisht si rezultat i gjoja reformës së ideuar nga Edi Rama, e cila solli një katastrofë për sa i takon shërbimeve që merrnin qytetarët.

Kudo është interesi te njerëzit. Si t’u lehtësohen hallet e shqetësimet atyre. Si të mbështeten ata që janë më në vështirësi. Unë besoj shumë që kandidatët tanë me këtë komunikim të përditshëm për qytetarin dhe me këtë fokus të tyre të përditshëm për të zgjidhur dhe lehtësuar këto halle, jo vetëm janë fitues dhe udhëheqin bindshëm këtë garë, por për fat të keq nuk kanë kandidatë rivalë.
I vetmi që iu del është një gogol që njëherë kërcen, njëherë shpik postera sipas overdozave që kalon për shkak të panikut që ka nga zgjedhjet që po vijnë dhe nga fakti që e ka të pamundur të trukojë ndeshjen si herën e kaluar. Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme ndaj duhet që qytetarët të marrin pjesë dhe të tregojnë përgjegjshmëri për të drejtat e tyre që ua jep Kushtetuta dhe nuk i kanë shfrytëzuar si duhet, por këtë radhë është dhe detyrë patriotike./albeu.com/