Shkruan Ivan Krastev: Demokracitë nuk mund të durojnë shumë ngjarje dramatike

Nga Ivan Krastev “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ajo që po shohim është një “la lutte finale” (një betejë vendimtare) në shumë demokraci në mbarë botën sot. Strofa e paharrueshme për “luftën vendimtare” nga himni i vjetër socialist i “Internationales” është një refren i përshtatshëm për shumë politika demokratike bashkëkohore.

Kur nisi fushatën e tij presidenciale për zgjedhjet e vitit 2024, Donald Trump u tha mbështetësve të tij se ata përballeshin me një zgjedhje shumë të fortë: ose të sigurojnë fitoren për të ose “vendi ynë do të humbasë përgjithmonë”. Kjo, tha ai, ishte “beteja përfundimtare”.

Një thirrje e ngjashme mund të dëgjohet edhe në Paris, ku për javë të tëra, qindra mijëra kanë demonstruar kundër vendosmërisë së presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç. Po ashtu, protestuesit francezë ushqejnë një antipati më të gjerë kundër stilit të tij perandorak dhe “jupiterian” të qeverisjes.

“Beteja vendimtare” po zhvillohet edhe në Izrael, ku një numër i madh izraelitësh janë të vendosur të ndalojnë qeverinë e djathtë të Benjamin Netanyahu nga reformimi, ose siç e shohin ata, nënshtrimi i sistemit gjyqësor.

Dhe Turqia gjendet para një momenti historik “tani ose kurrë”, ku zgjedhjet e afërta presidenciale dhe parlamentare do të vendosin autokratin Recep Tayyip Erdogan kundër opozitës demokratike. Por a është e vërtetë që pjesëmarrësit në këto tubime dhe demonstrata, me gjithë bindjen e tyre të vërtetë, nuk kanë asgjë për të humbur?

Pas zgjedhjeve të pesta parlamentare të mbajtura në Bullgari gjatë 2 viteve të fundit të dielën e kaluar (pa asnjë garanci se do të formohet një qeveri e re), unë kam filluar të pyes veten nëse zelli për të shpëtuar demokracinë është realisht i i pajtueshëm me biznesin e qeverisjes në shtetet demokratike.

A mund të funksionojë demokracia, në rast se shumica e qytetarëve beson se humbja e zgjedhjeve nënkupton humbjen e gjithë vendit? Mendimtari francez i shekullit XIX-të Alexis de Tocqueville, ishte një nga të parët që sugjeroi se politika demokratike ka nevojë për drama.

Por po aq e vërtetë është se demokracia duhet të zhdramatizohet. Një ditë pas zgjedhjeve, gjithë fatkeqësia dhe zymtësia, Sturm und Drang (Stuhi dhe Vrull) që karakterizon zakonisht fushatat zhduken papritmas. Problemet nisin që të duken të zgjidhshme dhe si me magji bota rikthehet në normalitet.

Një demokraci funksionale kërkon aktorë politikë të trajnuar në mënyrën e Bertolt Brecht dhe jo të Konstantin Stanislavski. Kjo do të thotë se ata duhet të jenë në gjendje të distancohen nga vetja e tyre e shfaqur gjatë fushatës. Mjerisht, magjia e rikthimit pas-zgjedhor në normalitet duket se është zhdukur.

Sot politika demokratike konsumohet nga një ndjenjë urgjence ekstreme, në të cilën nuk ka vend për kompromise. Kjo e sotmja është politika si përplasja e dy imagjinatave apokaliptike. Në të majtë, aktivistët e klimës besojnë se nëse nuk veprojmë tani, nëse mos nesër, pasnesër nuk do të ketë më jetë njerëzore në Tokë.

Nga ana e saj, e djathta nativiste, nuk motivohet nga frika e fundit të jetës si e tillë, por nga frika se mund të marrë fund “mënyra jonë e jetesës”. Që të dy këto grupime ekstreme ndajnë ndjesinë se ne jemi të përfshirë në një “luftën përfundimtare”.

Dhe ndërsa disa nga shqetësimet e secilës palë janë shumë reale dhe kërkojnë një veprim urgjent shoqëror, radikalizmi është bërë mënyra e paracaktuar për t’u marrë me kompleksitetin dhe konfuzionin. Problemi është se demokracia nuk mund të funksionojë as kur rreziqet janë shumë të ulëta dhe as kur ato janë shumë të larta. Demokracia e humbet besueshmërinë kur ndryshon qeveria, por asgjë tjetër nuk ndodh.

Ndërkohë kur ndryshimi i qeverisë ndryshon gjithçka, ajo humbet edhe vetëpërmbajtjen. Në një demokraci, humbësit në një palë zgjedhje e e pranojnë humbjen kryesisht sepse humbja nuk do të thotë të humbasësh shumë, dhe gjithsesi zgjedhjet e ardhshme nuk janë kurrë aq larg.

Arti i demokracisë është ta lëmë të ardhmen të hapur. Detyra e zgjedhjeve është ta kthejë çmendurinë në arsye dhe të përkthejë pasionet në interesa. Vota i jep çdo qytetari një zë, por i privon ata nga aftësia për të përfaqësuar intensitetin e besimeve të tyre.

Vota e fanatikut për të cilin zgjedhjet janë çështje jetë a vdekje, dhe vota e një qytetari që mezi e di se për kë voton dhe pse, kanë një peshë të barabartë. Rezultati është se votimi ka një karakter të dyfishtë: ai na lejon të zëvendësojmë ata që janë në pushtet, duke na mbrojtur kësisoj nga shteti tepër represiv.

Por nga ana tjetër mban nën kontroll pasionet, dhe na mbron nga qytetari tepër shprehës.

Në mënyrë ideale, demokracia e bën apatikun të interesohet për jetën publike, ndërsa ftoh pasionin e të zellshmit. Kur zgjedhjet janë thjesht karnavalet e pasioneve, është e pamundur një qeverisje efektive. Dhe ndërsa është e vërtetë që jetojmë në kohëra të trazuara dhe që presioni për veprim radikal është real, “C’est la lutte finale” (Kjo është lufta përfundimtare) është refreni i gabuar. /albeu.com


Shtuar 11.04.2023 10:43