Pse rrogat e politikanëve duhet të jenë të larta dhe të punonjësve të ulta?

Nga Lutfi Dervishi

Është fakt se Shqipëria ka elitën politike me rrogën më të lartë në rajon dhe punonjësit me rrogën më të ulët.

Kjo lëvizje e guximshme e deputetëve, që në çdo vend tjetër brenda pak orësh do të  do të kishte rrëzuar qeverinë, në Shqipëri ka sjellë një qetësi dhe stabilitet të ngjashëm me vendet ku nuk ndodh asgjë.

Dyfishimi i rrogave të ministrave, deputetëve, Presidentit, Kryeministrit dhe kryetares së Parlamentit nuk është bërë për faktin se kjo shtresë po vuante, por është bërë për të thelluar hendekun “e shërbëtorëve të popullit” me popullin. Ndërkohë që prej vitesh është provuar tashmë përkushtimi i shërbëtorëve ndaj popullit, e kundërta nuk ka qenë e vërtetë. Ndaj është koha që punonjësit të ulin kokën dhe të kujtohen çdo mëngjes kur nisen për punë dhe çdo pasdite kur futen në dyqan për të blerë se jeta e tyre është në fije të perit.

Dyfishimi i rrogave të “shërbëtorëve të popullit” nuk është bërë sikundër mediat kritike me qeverinë e paraqesin si një garë kush e ka rrogën më të lartë në rajon. Jo. Dyfishimi i rrogave është bërë për të thelluar pabarazinë.

A nuk e kemi provuar ne shqiptarët për 5 dekada se çfarë do të thotë “barazi dhe barazitizëm”?  Shtimi i privilegjeve për një shtresë dhe shtimi i vuajtjeve për popullin na garaton se ne shqiptarët kurrë më nuk do të kthehemi te eksperimenti i shtrembëruar shoqëror i barazisë dhe mbajtjes së rrogave të zyrtarëve sa më afër mesatares së përgjithshme.

Dyfishimi i rrogave të “shërbëtorëve të popullit” ta themi troç është bërë për të rritur varfërinë. Qeveritë e majta si rregull i duan të varfërit aq shumë sa ditë e natë mendojnë si t’i shtojnë, por në këtë rast, varfëria po nxitet për të rritur virtytin. Varfëria skalit karaktere- jo vetëm të denja për letërsinë dhe kinematografinë, por mbi të gjitha për shoqërinë. Kemi nevojë për sa më shumë njerëz me karakter të fortë. Tek e fundit a ka gjë më të virtytshme se të luftosh çdo ditë për të siguruar bukën e gojës?

Të gjithë e kemi vënë re se një fare mirëqenie që prodhoi kapitalizimi këto 3 dekada erdhi me një faturë sociale nga pas. Njerëzit po dembeloseshin. Shqipëria u bë vendi i parë për frymë për numër kafenesh. Kafenetë dhe parukeritë u bënë bizneset kryesore. Duke rritur varfërinë për masat, qeveria dëshiron që njerëzit të bëhen të zotët e vetes, të mbijetojnë, t’ia dinë vlerën qindarkës dhe t’ia ndjejnë më mirë shijen bukës së përditshme.

Dy fishimi i rrogave për “shërbëtorët e popullit” është bërë që në fund të fundit edhe vetë ministrat dhe deputët të bëhen njerëz të ndjeshëm, ndaj vuajtjes njerëzore. Duke parë gjendjen e vështirë të votuesve të tyre, zyrtarët do të preken më shumë, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. Ndonjë mund të marrë nisma bamirësie dhe sidomos në fushata zgjedhore të bëhet më xhymert.

Mbajtja e rrogave të ulëta për punonjësit është bërë edhe për të rritur stabilitetin politik. E shihni çfarë ndodh në Francë pse Presidenti vendosi të rrisë me dy vite moshën e pensionit? U dogj Parisi. Duke mbajtur rrogat e ulëta, punonjësit qeverisen më lehtë dhe nuk u shkon në mendje për prostesta, për sindikata apo larg qoftë për kërkesa për rritje rrogash.

Nuk jemi të gjithë si “këmbët e dhisë”

E fundit, por jo nga rëndësia, dyfishimi i rrogave të ministrave dhe deputetëve është bërë për të rritur korrupsonin dhe për t’i dhënë mundësi SPAK-ut të kap “peshqit e mëdhenj”. Si do të bëhet kjo? Moto e njohur e prokurorëve është: ndiq paranë. Dyfishimi i rrogave do të nxisë oreksin e ministrave dhe deputetëve për të patur më shumë para. Korrupsioni do të gëlojë dhe prokurorët do të kenë më në fund rast të godasin “lart”, atje ku është paraja.

Pra nuk duhet nxituar në parrulla populiste sikur dyfishimi i rrogave të zyrtarëve është bërë për të mirën e tyre. Nuk është çdo gjë ashtu siç duket.


Shtuar 11.06.2023 18:45