Vrau në banesë 51-vjeçarin shkodran, policia arreston pas 21 orësh kërkime autorin

Petrit Vuksani, 51 vjeç u ekzekutua ditën e djeshme në banesën e tij në Shkodër.

Policia bën me dije se pas 21 orësh kërkime ka vënë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, Lekë Vuksani, 34 vjeç.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme (2 maj) rreth orës 12:15 në lagjen “Tom Kola.”

“Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit. Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga shtetasi L. V., 34 vjeç, banues në Shkodër”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Gjithashtu policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Autori i vrasjes kishte jetuar me qira në banesën e 51 vjeçarit dhe duket se viktima e ka nxjerrë nga shtëpia për shkak të mospagimit të qirave.

51 vjeçari kishte një muaj që ishte kthyer nga Anglia, dhe në momentin e ngjarjes ai ka qenë i vetëm në banesën e tij.

Mes viktimës dhe autorit dyshohet se ka pasur një përleshje fizike dhe më pas autori është larguar dhe ka marrë armën tip automatik, ku ka qëlluar për vdekje 51-vjeçarin.

Autori pas ngjarjes është arritur të pikaset me dron, por fillimisht ka arritur të shmanget, duke u arrestuar 21 orë më pas.

/Albeu.com/