Mickoski sulmon BDI-në: Dëshirojmë ta çlirojmë Maqedoninë e Veriut nga kjo parti

Largimi i BDI-së, nga Qeveria, është kushti i parë, që VMRO-DPMNE të bëhet pjesë e qeverisë gjithëpërfshirëse. Kështu ka deklaruar kryetari i VMRO-së në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski, i cili ka thënë se ata dëshirojnë “ta çlirojnë Maqedoninë nga BDI”.

“Ne thamë kemi kushte, kushti i parë është që përfundimisht Maqedoninë ta çlirojmë nga BDI, nuk ka nevojë që të jetë pjesë e asaj, kushtimisht thënë, Qeverie të përkohshme. Dhe unë e përshëndes veprimin e z.Bujar Osmanit që e pranoi këtë në emrin e BDI-së, që mos të jenë pjesë e Qeverisë së përkohshme deri në zgjedhje, më pas qytetarët do të tregojnë nëse do të jenë ose nuk do të jenë në ndonjë qeveri të ardhshme”, tha Mickoski.

Mickoski gjithashtu u shpreh se nëse ata bëhen pjesë e qeverisë pa BDI-në, deri në zgjedhjet e ardhshme, atëherë kryeministri në muajt e fundit nuk do të jetë shqiptar. Sipas tij, në këtë rast nuk do të vlente marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së.

“Kryeministri i ardhshëm nuk do të jetë për shkak të marrëveshjes që e kanë bërë LSDM dhe BDI, ose kushtimisht thënë, etnikisht shqiptar, por do të jetë kryeministër që e kanë zgjedhur shumica e deputetëve në korniza të Kuvendit”, tha Mickoski.