Eksperti i gjykatave ndërkombëtare: Ja skenarët kur Putin mund të përfundojë në Hagë

Meduza

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Më 17 mars 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë (GJNP) lëshoi ​​urdhra arresti kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe komisioneres ruse për të drejtat e fëmijëve Maria Lvova-Belova për bashkëpunimin e tyre të dyshuar në dëbimet e paligjshme të fëmijëve nga territoret e pushtuara të Ukrainës në Rusi.

Kjo e bën Putinin udhëheqësin e tretë botëror në histori që është paditur nga kjo gjykatë gjatë kohës që është në detyrë. “Meduza” bisedoi me Victor Peskin, eksperti i specializuar mbi gjykatat ndërkombëtare dhe profesor i asociuar në Shkollën e Politikës dhe Studimeve Globale të Universitetit Shtetëror të Arizonës, SHBA-së, në lidhje me funksionimin e GJNP-së, shanset që ky urdhër-arresti të çojë në dënimin e Putinit, edhe pse jo të gjitha vendet e kanë nënshkruar statutin themelues të gjykatës.

Si lindi ideja e krijimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale?

Paraardhësit kryesorë të saj ishin gjykatat ushtarake të Nurembergut dhe Tokios, të drejtuara nga Aleatët. Pas Luftës së Dytë Botërore, këto gjykata vunë në jetë idenë e rëndësishme se krimet që janë të tmerrshme kërkojnë realisht një ndjekje penale ndërkombëtare.

Për shkak të Luftës së Ftohtë dhe rivalitetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, çdo potencial për bashkëpunim për të ndërtuar një institucion të këtillë ndërkombëtar u zhduk që në fundin e viteve 1940. Në fillim të viteve 1950, pati një propozim për të krijuar një gjykatë ndërkombëtare të përhershme për krimet e luftës. Por ajo nuk mori mbështetjen e nevojshme, ndaj kjo ide u la mënjanë deri në fund të Luftës së Ftohtë.

Pastaj pas shembjes së BRSS, patëm shumë bashkëpunim shumëpalësh veçanërisht midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ky ishte një faktor kyç për t’i hapur rrugën Gjykatave Penale Ndërkombëtare ad hoc të Kombeve të Bashkuara, fillimisht në Bosnje dhe më pas për Ruandën.

Nga buron autoriteti i kësaj gjykate? Kush i dha të drejtën të lëshonte urdhër-arreste kundër njerëzve në vendet sovrane?

Legjitimiteti dhe autoriteti i gjykatave të OKB-së në Jugosllavi dhe Ruandë erdhi nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Kapitulli VII i Kartës së OKB-së i jep fuqinë Këshillit të Sigurimit të ndërmarrë veprime për të mbrojtur paqen dhe sigurinë. Por GJNP është ndryshe. Ajo nuk është një institucion i OKB-së, pasi është krijuar nëpërmjet një traktati shumëpalësh në Konferencën e Romës të vitit 1998, ku shtetet mund t’i bashkohen ose jo gjykatës.

Rusia, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe shumë vende të tjera vendosën të mos i bashkoheshin gjykatës, por shumë vende e kanë bërë këtë. Aktualisht, kemi 123 vende që janë shtete palë, ose anëtarë të gjykatës.

A është e mundur që vendet t’i përmbahen Statutit të Romës, por të mos njohin juridiksionin e GJNP-së?

Po. Një shtet mund të jetë nënshkrues por jo anëtar. Për shembull, Rusia, SHBA-ja dhe Izraeli janë nënshkruese por jo anëtarë. Dhe një nënshkrues që nuk është anëtar; nuk është i detyruar të bashkëpunojë. Por kjo tregon se një ditë mund të dëshirojë të bëhet anëtar. Dhe e lë të hapur mundësinë.

Si e garanton kjo gjykatë pavarësinë e saj?

GJNP drejtohet nga ekspertë juridikë shumë profesionistë, që janë të përkushtuar ndaj idesë së shtetit të së drejtës. Dhe në thelb shteti i së drejtës ka të bëjë me të qenit i pavarur nga forcat politike. Megjithatë, shumë nga çështjet e saj zhvillohen në kontekste tejet politike, ku shtete të caktuara kërkojnë të ushtrojnë presion të madh politik mbi gjykatën dhe veçanërisht mbi kryeprokurorin, sepse kryeprokurori është ai që vendos se cilat çështje do të hetohen, kush duhet paditur, kur duhet akuzuar dhe për çfarë.

A përpiqen aktorët politikë të lobojnë tek GJNP?

Shtetet që janë më shumë në rrezik të vihen nën hetim dhe bëhen subjekt i aktakuzave të veçanta, përfshihen shpesh në përpjekjet për të lobuar në GJPN. Një mënyrë është përpjekja për të minuar besueshmërinë e gjykatës. Javët e ardhshme, do të shohim se si do të lobojë Kremlini.

Milosevic thoshte dikur në Hagë, se ajo është një gjykatë e udhëhequr nga Perëndimi, një gjykatë e NATO-s, jo një gjykatë e ligjit. Kjo u besua nga nacionalistët në Serbi. Por në shumë pjesë të botës, nuk funksionoi, sepse shumë njerëz kishin dijeni për të gjitha krimet e tmerrshme për të cilat ai ishte përgjegjës.

Edhe Putin, ka të ngjarë të thotë se GJNP është një gjykatë perëndimore. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ajo ta ruajë vërtet besueshmërinë e saj. Dhe nëse ka shtete të tjera nga pjesë të tjera të botës që janë të implikuar në krime, edhe ato duhet të hetohen dhe gjykohen.

Çfarë domethënie ka për të ardhmen e Rusisë urdhër-arresti për Putinin?

Kur një gjykatë ndërkombëtare padit një zyrtar të nivelit të lartë, kjo mund t’i nervozojë ata që janë të përfshirë në krime. Sepse nuk e dinë nëse mund të jenë të paditur e radhës. Disa nga gjykatat kanë përfituar nga pasiguria duke i detyruar disa nga këta të dëshmojnë kundër një gjenerali ose një udhëheqësi. Por këto aktakuza mund të kenë edhe efektin e kundërt, atë të “tubimit rreth liderit”.

A është e vërtetë që tani Putinit i ndalohet hyrja në vendet që e njohin juridiksionin e GJNP-së?

Këtu qëndron problemi. Deklarata e fundit e Hungarisë krijon një të çarë. Shtetet që janë anëtare të GJNP-së janë të detyruara të arrestojnë dhe dorëzojnë individët që i nënshtrohen urdhër-arresteve të gjykatës. Prandaj, nëse Putin shkon në Francë, autoritetet franceze janë ligjërisht të detyruara që ta arrestojnë atë.

E njëjta gjë vlen edhe nëse ai shkon në Hungari. Por një zyrtar hungarez tha se ata nuk do ta ndalojnë atë. Pra është e paqartë se çfarë do të ndodhë. Por pyetja tjetër është: A do të donte Putin të shkonte në një shtet anëtar të kësaj gjykate? Sepse do të rrezikonte shumë.

Nëse Putin humbet pushtetin, a ka ndonjë garanci se ai do të përfundojë në bankën e të akuzuarve?

Nuk ka garanci. Por ja disa skenarë, ku ai do të përfundonte në bankën e të akuzuarve, në rast se bie nga pushteti. Së pari mund të pasohet nga një qeveri nacionaliste që nuk mendon më se ai është efektiv, por mund të dëshirojë të ruajë në thelb politika të ngjashme. Ajo mund të mos dojë ta dorëzojnë në Hagë sepse që të mos humbë mbështetjen e nacionalistëve.

Së dyti mund të kemi një qeveri demokratike, që duhet të përballet me forcën e nacionalistëve në opozitë, ndaj mund ta ketë sërish të vështirë ta dorëzojë Putinin.

Se treti ai mund të mërgojë në një shtet miqësor, si Bjellorusia, Koreja e Veriut, duke iu shmangur dorëzimit. Ose mund të pësojë fatin e Gadafit, që u vra në fund të luftës. Por unë nuk besoj se ky skenar ka shumë gjasa të ndodhë. Në çdo rast është gjithashtu e rëndësishme që ky urdhër të mbetet gjithmonë në fuqi. Sepse me kalimin e kohës gjërat mund të ndryshojnë dhe të bëhen më të mundshme. Kur humbet pushtetin, zakonisht je shumë më i prekshëm ndaj arrestimit, sepse je më pak i vlefshëm politikisht për ata që të rrethojnë. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 5.04.2023 17:30