Elitat evropiane nuk do të jenë në gjendje ta kapërcejnë valën e re të populizmit

Nga Henry Olsen “TheWashington Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Nëse unanimiteti mbresëlënës i Evropës në mbështetje të Ukrainës ka krijuar një ndjenjë të stabiliteti politik në kontinent, është koha ta ri-mendoni këtë gjë. Ngjarjet e fundit në Francë dhe Holandë tregojnë se realiteti është shumë ndryshe. Të dyja vendet janë tronditur nga protestat populiste muajt e fundit.

Franca është bërë shumë e dhunshme javët e fundit. Anëtarët e sindikatave dhe qytetarë të tjerë janë shumë të zemëruar me reformën e sistemit të pensioneve të presidentit francez Emmanuel Macron dhe po përleshen vazhdimisht me policinë.

Në Holandë, fermerët kanë nisur protestat kundër ligjeve të reja të qeverisë për mbrojtjen e klimës, të cilat do të reduktojnë në mënyrë dramatike numrin e krerëve në blegtori dhe do të detyronin shumë prej tyre që të dilnin nga biznesi. Dhe asnjë grup nga këta kundërshtarë politikë nuk ka gjasa që të largohet së shpejti nga rrugët.

Këto lëvizje i kanë tronditur që të dyja qeveritë. Fermerët holandezë janë grumbulluar në një parti të re politike, Lëvizja Qytetare Fermere (e njohur si BBB, sipas inicialeve holandeze). BBB i tronditi analistët kur përfundoi e para në zgjedhjet e fundit lokale, duke fituar gati 20 për qind të votave dhe më shumë se 30 për qind të tyre në provincat rurale si Drenthe dhe Overijssel.

Kjo situatë do ta ndërlikojë pozitën e koalicionit 4-partiak të kryeministrit Mark Rutte, që tani do të detyrohet të marrë mbështetje ose nga BBB ose nga 2 parti të tjera në opozitë për ta miratuar në Senat ligjin e shumë-diskutuar. Ndërkohë pozicioni i Macron është disi më i qëndrueshëm, pavarësisht se qeveria e tij mezi i mbijetoi javës së kaluar 2 mocioneve të mosbesimit.

Në të parin, opozita e kombinuar populiste e së majtës dhe e së djathtës ekstreme ishte vetëm 9 vota larg rrëzimit të mazhorancës qeveritare të Macron, ku 40 ligjvënës centristë dhe konservatorë iu bashkuan atyre. Sidomos republikanët konservatorë do ta kenë të vështirë të vazhdojnë të mbështesin qeverinë Macron, në kushtet kur votuesit e tyre vazhdojnë të shkojnë drejt partisë së ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, Tubimi Kombëtar.

Me një vlerësim prej vetëm për qind 28 për qind të punës tij në një sondazh të kohëve fundit dhe me protestat që vazhdojnë, presidenti francez gjendet në betejën më të madhe politike të karrierës së tij politike. Franca dhe Holanda vuajnë nga një problem i ngjashëm: një bazë elektorale votuesish urban që duket se nuk dëshiron të bëjë asnjë kompromis.

Koalicioni i Rutte e merr mbështetjen e tij kryesore nga metropolet kryesore të vendit të njohura si Randstad, ku përfshihet Amsterdami dhe Roterdami. Pavarësisht protestave që po zhvillohen prej muajsh, votuesit atje nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre që fermerët ta lejojnë qeverinë të ndërmarrë përpjekjet e nevojshme për të luftuar ndryshimet klimatike.

Jashtë atij mjedisi të pasur, holandezët e tjerë janë shumë të zemëruar. Edhe mbështetja ndaj Macron vjen edhe nga pjesët më të begata të Francës. Dallimi i tij iluziv nga Le Pen vitin e kaluar erdhi kryesisht nga zonat urbane të njohura si Ile-de-France në Paris.

Edhe ligjvënësit që e mbështesin qeverinë e tij vijnë në mënyrë disproporcionale pikërisht nga ato zona. Sondazhi më i fundit në Francë tregon se aleanca e tij do të kishte humbur jo pak vende nëse një mocion i suksesshëm mosbesimi do të kishte detyruar zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Dhe ky sondazh u krye përpara vendimit të tij të diskutueshëm për të miratuar reformën e pensioneve pa një votim në parlament.

Megjithatë, ashtu si holandezët, as Macron dhe as mbështetësit e tij më të zjarrtë nuk kanë shfaqur ndonjë interes për të arritur një kompromis dhe qetësuar opozitën. Kjo qasje po e forcon ndjeshëm ndjenjën populiste në të gjithë kontinentin. Njerëzit e zemëruar me statuskuonë i drejtohen partive ekstreme, kur shohin se nuk ka asnjë shans për reforma serioze nga brenda establishmentit aktual.

Nga ana tjetër kjo i inkurajon liderët e atyre partive që të intensifikojnë kritikat e tyre për të ruajtur mbështetjen e tyre. Kësisoj presioni mbi klasën politike do të vazhdojë të ndërtohet, me rrezikun e një kolapsi katastrofik. Edhe vendet e tjera evropiane po tregojnë shenja të ngjashme presioni.

Finlanda dhe Bullgaria mbajnë secila zgjedhje më 2 prill, dhe partitë populiste mund të përfundojnë të parat në të dyja vendet. Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë kryeson aktualisht në sondazhet në Austri. Ndërsa në Portugali, partia populiste e ekstremit të djathtë Chega (Mjaft), renditet tani me një nivel rekord prej 14 për qind të votave, ndërsa socialistët që janë aktualisht në pushte po humbasin terren me shpejtësi.

Edhe Gjermania, tradicionalisht me një skenë politike të qëndrueshme ka përjetuar një rritje të mbështetjes për partinë e saj të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Dhe qeverisja nga qendra në koalicione të mëdha, qasja e favorizuar e elitave kudo, nuk duket se e frenon valën populiste.

Kryeministrja socialdemokrate e Danimarkës, Mette Frederiksen, e provoi këtë pas zgjedhjeve që u zhvilluan në vendin e saj, duke u detyruar të bashkohej në një koalicion me të Moderuarit, një parti e sapoformuar si dhe me rivalin historik të qendrës së djathtë, Venstre.

Që nga ajo kohë Venstre dhe socialdemokratët e kanë humbur mbështetjen, e cila ka shkuar tek partitë e tjera në të majtë dhe të djathtë. Sondazhet tregojnë se qeveria do të humbiste me lehtësi zgjedhjet nëse do të mbaheshin sot. Elitat perëndimore kanë supozuar se mund ta largojnë këtë “stuhi” populiste.

Në fakt po bëhet gjithnjë e më e qartë se Perëndimi po përjeton një epokë populiste të ngjashme me epokën social-demokratike që diktoi shekullin XX-të. Përshtatja do të marrë shumë më tepër sesa durim; ajo do të kërkojë ndryshime reale dhe thelbësore.

Shënim:Henry Olsen, bashkëpunëtor në Qendrën e Etikës dhe Politikave Publike në SHBA.

/albeu.com


Shtuar 27.03.2023 12:01