Zhduken 2.5 tonë uranium natyror në Libi

Rreth 2.5 ton uranium natyror që ndodheshin në një depo në Libi janë zhdukur, tha të enjten agjencia e OKB-së për energjinë bërthamore, duke ngjallur shqetësim për sigurinë dhe përhapjen e armëve.

Uraniumi natyror nuk mund të përdoret menjëherë për prodhimin e energjisë ose bombave, pasi metali duhet t’i nënshtrohet procesit të pasurimit nëpër centrifuga për të arritur nivelet e nevojshme.

Megjithatë, nga një ton uranium natyror, sipas ekspertëve, mund të përftohet deri në 5.6 kilogramë material për armë, nëse minerali bie në duart e një grupi me mjetet dhe burimet e duhura teknologjike. Kjo e bën të rëndësishme mungesën e kësaj sasie minerali.

Në një deklaratë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike me qendër në Vjenë tha se drejtori i përgjithshëm i saj, Rafael Mariano Grossi, informoi vendet anëtare të mërkurën për uraniumin e humbur.

Gjithsesi deklarata e agjencisë nuk jepte shumë detaje.

Të martën, “inspektorët e agjencisë zbuluan se 10 depozita që përmbanin afërsisht 2.5 ton uranium natyror në formën e koncentratit të mineralit të uraniumit nuk gjendeshin siç ishte deklaruar më parë në një objekt në shtetin e Libisë,” tha Agjencia e Energjisë Bërthamore. “Agjencia do të kryejë aktivitete të mëtejshme për të sqaruar rrethanat e zhvendosjes së materialit bërthamor dhe vendndodhjen e tij aktuale.”/VOA/


Shtuar 16.03.2023 18:12