Intervista/Ursula Von der Leyen:Moska duhet të paguajë për dëmet, dhe Ukraina do të jetë një ditë pjesë e BE-së

Nga Louis Hippolytus “Corriere della Sera

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Prania e Ursula von del Leyen i dha domethënie dhe peshë Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës që u mbajt ditët e fundit në Londër. Presidentja e Komisionit Evropian foli në nisje të punimeve, menjëherë pas kryeministri britanik Rishi Sunak dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një lidhje video. Më pas udhëheqja e BE-së dha një intervistë për “Corriere della Sera” së bashku me një grup gazetash evropiane ( “El Mundo”, “Le Monde”, “Suddeutsche Zeitung” dhe “Ta Nea”).

Cili është qëllimi i një konference të tillë, në një kohë kur lufta vazhdon dhe kur ka një fund të saj në horizont? Apo është më tepër një mesazh politik për Putinin?

Po, është një mesazh i fortë politik: që ne evropianët jemi të përfshirë për një periudhë afat të gjatë, pra për aq kohë sa duhet në ndihmë ndaj Ukrainës. Por nga ana tjetër është edhe një veprim shumë konkret. Sepse është rënë dakord për një mbështetjeje përtej këtij vitit.

Unë u kam propozuar vendeve anëtare të BE-së që të japin së bashku 50 miliardë euro ndihmë për Ukrainën. Por ne jemi gjithashtu këtu për t’i rregulluar gjërat ndërkohë që lufta po vazhdon, për ta ndihmuar Ukrainën të mbajë në këmbë ekonominë e saj. Për shembull, rregulluam rrjetin elektrik ukrainas të cilin Putin e shkatërroi dimrin e kaluar dhe që tani po  funksionon sërish.

A janë dakord të gjitha shtetet anëtare për ndihmën prej 50 miliardë eurosh?

Tani për tani ky është një propozim. Por nuk duhet të harrojmë se kur miratuam buxhetin e fundit nuk e kishim idenë se do të kishte një pandemi dhe luftë, ndaj kemi dhënë tashmë 30 miliardë euro per Ukrainë, një shumë e madhe që nuk ishte e programuar. Tani duhet të shikojmë përtej vitit aktual, në periudhën 2024-2027. Propozimi ynë është ky: 10 miliardë euro dhuratë dhe 20 miliardë si kredi”.

A ekziston edhe objektivi i përdorimit të aseteve të mëdha të sekuestruara nga oligarkët rusë dhe shteti rus për rindërtimin e Ukrainës?

Kjo është një çështje shumë komplekse në aspektin juridik, dhe ekspertët tanë po punojnë shumë për të. Por nga pikëpamja politike unë jam thellësisht e bindur se nuk është e mundur që cilido që ka përgjegjësi për këtë shkatërrim masiv në Ukrainë të mos kontribuojë në procesin e rindërtimit. Për këtë arsye ne po përgatisim një propozim ligjor para pushimeve verore.

Jeni të bindur se autorët e këtyre shkatërrimeve do të paguajnë koston e tyre?

Po.

Si i vlerësoni iniciativat e paqes për t’i dhënë fund luftës? Nisma e fundit e Vatikanit u prit ftohtë nga Kievi…

Ne të gjithë duam paqe dhe nuk ka njeri që e dëshiron paqen më shumë se ukrainasit. Por ne kemi një parim: asgjë për Ukrainën pa Ukrainën. Ukraina ka paraqitur një plan prej 10 pikash dhe kjo është ajo që ne mbështesim. Si pikënisje është një propozim shumë i mirë, teksa ukrainasit i kanë bërë thirrje botës që të përmirësojë këtë propozim, por kjo është pika e nisjes. Është pozitive që ka kaq shumë përpjekje për të vazhduar procesin e paqes, por duhen respektuar disa parime të përgjithshme.

Por të paktën do të synoni të arrihet një armëpushim?

Ka diskutime për këtë gjë, por ne jemi thellësisht të bindur se duhet shmangur skenari i një  konflikti të ngrirë në një pjesë të Ukrainës. Pasi në këtë rast askush nuk do të dëshirojë të investojë në rajon dhe do ekzistojë gjithmonë rreziku që konflikti të ndizet sërish në çdo moment. Këtë gjë e pamë tashmë në vitin 2014. Ishte një konflikt që vlonte vazhdimisht nën sipërfaqe. Prandaj duhet të ketë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

A do të thotë kjo edhe rimarrja e Krimesë nga Ukraina?

Nuk më takon mua të gjykoj, por parimi është: asgjë për Ukrainën pa Ukrainën. Kievi është në sediljen e shoferit dhe ai që duhet të propozojë detajet për të gjetur paqen.

Edhe Pekini është aktiv në negociata. Si e shihni rolin e Kinës, edhe në funksion të rindërtimit të Ukrainës?

Kina ka një rol të rëndësishëm, pasi është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kjo i jep një përgjegjësi. Por ajo ka padyshim ndikim edhe mbi Rusinë, prandaj Kina duhet të luajë një rol. Sa i përket rindërtimit, e gjithë bota është e ftuar dhe do të ishte një mesazh i fortë nëse kontribuon edhe Kina.

Cilat janë perspektivat për anëtarësimin e Ukrainës në BE?

Nuk ka një datë konkrete, është një proces i vendosur në bazë të meritave. Pavarësisht luftës, Ukraina po bën reforma të rëndësishme që janë kërkuar nga ne. Ata duhet të ndërmarrin 7 reforma madhore. Kanë përmbushur 2 dhe kanë bërë përparim të mirë në 5 të tjerat. Sa i përket një kalendari, në tetor do të ketë një raport me shkrim nga Komisioni Evropian që do të përcaktojë hapat e ardhshëm.

A mund të themi se do të ndodhë brenda kësaj dekade?

Nuk dua të vendos një kornizë kohore, sepse kjo varet nga ajo që ata arrijnë të bëjnë në praktikë dhe nga procedurat tona të brendshme. Ne duhet të mendojmë, se si do të duket një BE e zgjeruar. Tashmë kemi filluar të mendojmë për të, sepse nuk po flasim vetëm për Ukrainën, por edhe për Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Thënë kështu duket një perspektivë afatgjatë…

A mund ta imagjinojmë që pas 20-30 vitesh ky rajon të mos jetë pjesë e Bashkimit Evropian? Në atë rast, do të ishte nën ndikimin rus apo kinez: A është vërtet ajo që duam? Kjo luftë është një moment vendimtar. Rajoni duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, përndryshe do të kemi probleme.

Por a nuk rrezikon ky zgjerim të amiqësojë më tej Rusinë?

S’ka pse të jetë kështu, sepse ne duam paqe dhe marrëdhënie të mira. Por është Rusia ajo që duhet të bëjë një hap përpara në këtë aspekt.

Evropa ka qenë shumë bujare në pritjen e refugjatëve ukrainas, por ndërkohë vazhdojnë ngjarjet tragjike me emigrantët që përpiqen të kalojnë Mesdheun.

Evropianët mirëpritën 4 milionë ukrainas, dhe ky ishte një vendim i drejtë. Kjo është Evropa në më të mirën e saj. Për emigrantët në përgjithësi, më vjen mirë që kemi arritur një pakt që balancon përgjegjësinë dhe solidaritetin, dhe që na jep një sërë rregullash të qarta brenda BE-së, ku kudo që të mbërrini në kufijtë e BE-së, do të keni të njëjtin proces të shpejtë dhe të drejtë.

Ne po punojmë shumë edhe në nivelin praktik. Kështu po punojmë për të arritur një pakt me Tunizinë dhe po investojmë në vendet fqinje për të stabilizuar ekonomitë e tyre. Dhe kanalet e ligjshme të emigracionit janë një element i rëndësishëm në krijimin e një alternative ndaj modelit cinik të biznesit të kontrabandistëve të njerëzve. Ne duhet të punojmë fort për të goditur trafikantët, sepse ky është një nga shkaktarët e tragjedive. Ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i parandaluar ato.

 

 

 

 

 


Shtuar 23.06.2023 11:07