Sherr për pronën në Shkodër, 29-vjeçari i nxjerr armën xhaxhait (VIDEO)

Një 29-vjeçar është arrestuar nga policia e Shkodrës pasi kanosi me armë zjarri pushkë xhaxhanë e tij. Sipas policisë shkak për konfliktin janë bërë motivet e pronësisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një konflikt ndërmjet disa familjarëve mund të përshkallëzohej deri në përdorimin e armës së zjarrit, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim neutralizimin e këtij konflikti.

“Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme në vendin e ngjarjes, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Elvis Kosuri 29 vjeç, banues në fshatin Gimaj, pasi dyshohet se pas një konflikti për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri pushkë, xhaxhanë e tij, shtetasin Z. K., 64 vjeç, banues në fshatin Ndërlisaj, Shkodër”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pushkë, disa fishekë luftarak dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa që u gjetën në banesën e 29-vjeçarit.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./albeu.com/


Shtuar 10.06.2023 13:21