Raporti i Avokatit të Popullit për vdekjen e Lear Kurtit: Policia nuk mori masa, ngjarja mund të ishte parandaluar

Policia nuk ka ndërhyrë në kohë për të shmangur vdekjen e të riut Lear Kurti. Kështu thuhet në raportin e Avokatit të Popullit për ngjarjen e rëndë.

Kurti ndërroi jetë më 19 tetor të vitit të kaluar, kur po shoqërohej nga policia për në komisariatin nr.3.

Në raport thuhet se punonjësit e policisë kanë qenë të paqartë dhe nuk kanë marrë masa kur ky person është ndjerë keq, bën me dije gazetarja Klodiana Lala. Duke iu referuar raportit, policët ishin të paqartë por dhe kontradiktorë se pse ishte shoqëruar ky shtetas.

Vdekja e Lear Kurtit shkaktoi shumë debate dhe akuza ndaj Policisë së Shtetit. Sipas Prokurorisë së Tiranës, shkak i vdekjes së Kurtit është diagnoza Anatomo-Patologjike, e shkaktuar nga mbidozimi (helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë, por familjarët e tij kanë akuzuar policinë duke thënë se i riu është dhunuar.