“Profesor, hajde të të qeras me një kafe”, mësuesi tregon si e dhunuan: Më morën në makinë dhe më goditën (VIDEO)

Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Tepelenë. Kleanth Laçi, 59 vjeç, mësues i edukimit fizik është dhunuar nga disa persona.

Sot është zbardhur dëshmia e tij, ku tregon se njëri prej tre të rinjve e kishte ftuar për kafe dhe me mirëbesim ai kishte shkuar, ndërsa sapo ishte futur në makinë e kishin dhunuar.

“Nisi që nga shtëpia. Hipa në makinë pa i njohur si persona por më pëlqyen se më tha profesor njëri dhe më tha do të qeras me një kafe. Në makinë më çuan në një rrugë jo kryesore, larg shtëpisë time dhe aty pastaj më goditën me grusht. Ishin tre persona, shoferi dhe dy të tjerë. Targat nuk i mbaj mend por më duket se makina ishte e llojit ‘Audi’.

Unë nuk di të kem pasur konflikt me njeri, nuk më thanë gjë, më goditën papritur. Unë hipa në makinë se më thanë do të qerasim me një kafe. Në momentin e goditjes së parë dola nga makina. Personat ishin të moshave të ndryshme. Unë u përmenda që në moment, u futa në një vend sa të pastrohesha dhe më pas mora një taksi”, u shpreh Laçi.

Mësuesi ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.