Trafiku i drogës, çfarë ndodh tani me Mimi Kodhelin pas deklaratës bombë të Tahirit?
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri vijon mbrojtjen e tij përmes avokatëve dhe vetes para trupës gjykuese në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi prokuroria kërkoi 12 vite burg për të dhe Jaeld Ccelën me akuzën e grupit të strukturuar kriminal.

Në fjalën e tij, Tahiri ceku edhe një episod ku përfshihet Mimi Kodheli, në atë periudhë ministre e Mbrojtjes.

Një ndër akuzat që i bëhet Tahirit është edhe ajo e lehtësimit të trafikut të drogës nga grupi i Habilajve. Fikja e radarëve që bënin vëzhgimin e detit shqiptar ishte një mundësi e mirë për ata që trafikonin drogë nga Shqipëria në Itali, por në lidhje me këtë, Tahiri thotë se ka informuar Mimi Kodhelin, shkruan Albeu.com.

“Prokuroria- citohet të ketë thënë Tahiri,- e la të mjegullt faktin se asokohe janë fikur radarët. Por unë në cilësinë e ministrit, i jam drejtuar asokohe me shkresën e datës 29/10/2013, (shkresë sekrete) koleges time, ministres Kodheli, duke e informuar se nuk punonin radarët".

Në këtë mënyrë, Mimi Kodheli përmendet për herë të parë në një proces gjyqësor përveç akuzave që iu bënë në atë periudhë nga ish-kryeministri Berisha.

Mbetet për t'u parë se cili do të jetë reagimi i prokurorisë ndaj Kodhelit pas deklaratës së ish-kolegut të saj ministër. /albeu.com/
Shtuar më 10/09/2019, ora 17:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori