EMRAT/ SPAK dërgon për gjykim 4 zyrtarët e Bashkisë së Dimalit dhe dy persona të tjerë

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq dosjen me 4 zyrtarë të bashkisë Dimal dhe një menaxher të një firme private të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Altin Pali, Arben Guraj, Valentina Jançe dhe Agim Çunaj merrnin 3 mijë euro për të dhënë leje ndërtimi dhe favorizonin kompanitë.

SPAK ka dërguar kërkesë për gjykim edhe  për Arjan Demirin inxhinier dhe Vait Koshin menaxher i një subjekti privat.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi bazën e kallëzimit nr. 155 datë 23.07.2020, ka regjistruar procedimin penal nr. 214, të vitit 2020 për veprat penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/1 i K.Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, prashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre“, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:

1. Arben Guraj (me detyrë përgjegjës shërbimesh pranë Bashkisë Dimal), akuzuar për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 /2 dhe 25 i K.Penal, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/1 i K.Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i K.Penal si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga neni 280 i K. Penal.

2. Altin Pali (me detyrë drejtor i Zyrës së Urbanistikës, Bashkia Dimal), akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 259/2 të K.Penal.

3. Valentina Jançe (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës përgjegjëse sektori e urbanistikës prane Bashkisë Dimal), akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 259/1 të K.Penal.

4. Agim Çunaj (me detyrë përgjegjës i IKMT pranë Bashkise Dimal), akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

5. Arjan Demiri (inxhinier), akuzuar për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i K.Penal.

6. Vait Koshi (menaxher i një subjekti privat), akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 I K. Penal.


Shtuar 3.07.2023 10:43