Izraeli sulmon Sirinë, raketa e mbrojtjes ajrore siriane shpërthen mbi Izrael

Izraeli kreu sulme ajrore në zonat pranë qytetit sirian Homs në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar dëme materiale, por jo viktima, tha ushtria siriane në një deklaratë të publikuar më 2 korrik.

Një raketë e mbrojtjes kundërajrore siriane shpërtheu mbi territorin izraelit, tha ushtria izraelite, duke nxitur një rund tjetër sulmesh.

Media shtetërore siriane citoi një zyrtar ushtarak të paidentifikuar të ketë thënë se mbrojtja ajrore rrëzoi disa nga raketat e lëshuara nga avionët luftarakë izraelitë, që fluturonin mbi Libanin fqinj.

Autoritetet izraelite nuk e komentuan sulmin ajror në Homs. Por, ata thanë se një nga raketat siriane të mbrojtjes ajrore shpërtheu mbi territorin izraelit, pa shkaktuar asnjë dëm. Policia izraelite tha se rrënojat e raketës ranë në qytetin jugor të Izraelit, Rahat.

Në kundërpërgjigje, avionët izraelitë sulmuan baterinë e mbrojtjes ajrore nga ku ishte lëshuar ajo raketë. Ushtria tha se goditi edhe objektiva të tjerë, por nuk dha detaje.

Izraeli, që është zotuar se dëshiron ta ndalojë përforcimin e pozicioneve të Iranit në Siri, ka kryer qindra sulme ndaj objektivave në pjesët e kontrolluara nga qeveria e Sirisë në vitet e fundit, por rrallëherë i pranon ato.

Sulmi i fundit i dyshuar ajror izraelit në Siri ishte më 14 qershor, pranë kryeqytetit Damask që la një ushtar të plagosur.

Izraeli ka shënjestruar edhe aeroportet ndërkombëtare në Damask dhe në qytetin verior të Sirisë, Alepo, disa herë gjatë viteve të fundit, shpesh duke i nxjerrë jashtë funksionit.

Më 7 mars, tre persona u vranë pas një sulmi ajror izraelit ndaj këtij aeroporti, duke shkaktuar ndërprerjen e të gjitha fluturimeve. Aeroporti u rihap pas disa ditësh.

Lufta civile në Siri ka nisur më 2011 dhe Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore ndaj Sirisë, kryesisht duke goditur caqet e ushtrisë siriane dhe të aleatëve të saj iranianë dhe të Hezbollahut./rel


Shtuar 2.07.2023 10:49