Stërvitja “Defeder 23” në Shqipëri, Rama: Vendi ynë nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar

Kryeministri Edi Rama ka thënë në nisje të stërvitjes ushtarake “Defender 23” se ky aktivitet vë në dukje përmirësimin e kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë.

Sipas Ramës, Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar, teksa qëndron krah SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit.

“Shqipëria ka nderin të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë dhe ky është një privilegj i posaçëm për Forcat e Armatosura të Shqipërisë që janë pritëse dhe pjesëmarrëse të kësaj stërvitje, e cila për herë të dytë vë në pah edhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona ushtarake, falë mbështetjes të paçmuar të aleatëve tanë amerikane dhe të vendeve të NATO-s.

Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar dhe sot e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimit krah për krah me SHBA si bashkëpenmajtëse për çështjen e Ukrainës, ajo merr një profil dhe një rol që jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme por edhe e vë në dukje se çfarë përparimi dhe pjekurie ka arritur vendi ynë.

Zhvillimi i kësaj stërvitjeje me praninë e trupave shumëkombëshe është njëkohësisht edhe shprehje e unitetit të madh dhe vendoshmërisë së palëkundur të të gjithë komunitetit euroatlantik për të mbrojtur vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë shoqëritë tona.

Kjo stërvitje na kujton se pavarësisht gjuhës që flasim dhe flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me ato vlera dhe parime që janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh dhe prandaj të gjithë jemi të imponuar nga historia dhe ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë”, tha Rama.

 


Shtuar 22.05.2023 10:41