Amerika ende udhëheq botën, por aleatët e saj nuk po e ndihmojnë

Nga Niall Ferguson “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë vizitave të mia të fundit në Lisbonë dhe Paris, dëgjova shumë diskutime mbi  lidershipin amerikan. M’u kujtua ajo që thuhet se ka thënë Mahatma Gandhi kur u pyet mbi pikëpamjen e tij për qytetërimin perëndimor: se do të ishte një ide shumë e mirë. Edhe unë ndihem njëlloj për lidershipin amerikan: do të ishte një ide shumë e mirë.

Kjo është një pikëpamje që duket se ndahet gjerësisht brenda elitës evropiane, edhe pse pak nga udhëheqësit e kontinentit guxojnë që ta thonë këtë me zë të lartë. Një nga elementët  thelbësorë të udhëheqjes është një destinacion frymëzues. Dhe ku saktësisht do të donin të arrinin SHBA-ja dhe aleatët e saj?

Një përgjigje e mirë për këtë pyetje, mund të gjendet në raportin “Global Trends 2040” të Këshillit Kombëtar të Inteligjencës, i cili parashikon 5 skenarë për 17 vjet. Padyshim më e dëshiruara është “Rilindja e Demokracive”, në të cilën SHBA udhëheq një ringjallje të asaj që quhej dikur bota e lirë.

Por ia vlen të rishikohen katër destinacionet e tjera, ato që në fakt duhen shmangur: Së pari, një “botë në ndryshim”, me Kinën shtetin kryesor, por jo dominues në nivel globalisht.

Së dyti “një bashkëjetesë konkurruese”, ku SHBA-ja dhe Kina përparojnë dhe konkurrojnë për udhëheqje në një botë me 2 blloqe.

Skenari i tretë portretizon një botë në të cilën globalizimi është zhdukur dhe ku shfaqen blloqet ekonomike dhe të sigurisë për të mbrojtur shtetet nga kërcënimet në rritje. Skenari i katërt, tragjedia dhe mobilizimi, ka të bëjë me një histori të ndryshimeve nga poshtë-lart, revolucionare në fund të krizave shkatërruese mjedisore globale.

Për mua gjëja më e habitshme është se 2 dy vjet pas publikimit të dokumentit, gjendemi tashmë në skenarin nr.3: Rivaliteti SHBA-Kinë dhe marrëdhëniet e tjera ndërshtetërore po kanalizohen në një konkurrencë për tregje, burime dhe reputacionin e markave.

Po ashtu, ndërvarësia ekonomike e forcuar e ul rrezikun e fuqive të mëdha që ndjekin konfliktin e armatosur. Shumica e tyre përfshihen në operacione ndikimi, spiunazhin ndaj korporatave dhe sulme kibernetike, që i japin mundësi të arrijnë qëllimet pa rrezikuar shkaktimin e luftërave me pasoja shkatërruese.

Sfida qendrore e sigurisë, është se si konkurrenca gjeopolitike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës të mbahet larg minimit të bashkëpunimit ekonomik nga i cili varet prosperiteti i tyre dhe ekonomia globale. Stabiliteti afatgjatë mbetet në rrezik nga sfidat në rritje të ndryshimit të klimës, të cilat u shpërfillën për një kohë të gjatë në favor të përfitimeve ekonomike afatshkurtra.

Tani inovacionet teknologjike dhe zhvillimi ekonomik i kanë nxitur liderët të besojnë se mund t`i shtyjnë bërjet e zgjedhjeve të vështira në lidhje me sfidën e ndryshimit të klimës.

Shumë evropianë po përjetojnë ndjenjën e pakëndshme të të gjendurit të bllokuar midis 2  superfuqive në një luftë të re të ftohtë.

Ata e dinë se Kina është pjesërisht fajtore për këtë gjë. Por e shohin si po aq fajtore edhe SHBA-në. Natyrisht në dukje, aleanca transatlantike e udhëhequr nga SHBA po ecën shumë më mirë sesa mund të pritej në kundërpërgjigjen e saj ndaj pushtimit rus të Ukrainës nisur vitin e kaluar.

Por problemi është ai që mund të quhet “ligji i pushtetit”, që do të thotë se kontributet e 38 vendeve që mbështesin Ukrainën në këtë luftë nuk po shpërndahen normalisht, por ndjekin një ligjësi të pushtetit. Pra thënë ndryshe ka një kontributor shumë të madh dhe ka të tjerë shumë të vegjël. Kontributori shumë i madh është sigurisht SHBA-ja.

Sipas të dhënave më të fundit mbi angazhimet dypalëshe nga “Ukraina Support Tracker”, ndihma e të gjitha llojeve e SHBA-së ndaj Ukrainës (financiare, humanitare dhe ushtarake) është 7 herë më të mëdha se ajo e shtetit që renditet i dyti në listën e ndihmës, Britanisë së Madhe.

Dhe në total, ndihmat e SHBA-së janë 45 për qind më të mëdha se të 39 shteteve të tjera të marra së bashku. Arsyeja kryesore pse ky raport është problematik, është se çdo përpjekje e udhëhequr nga amerikanët jashtë vendit varet shumë nga mbështetja e votuesve amerikanë. Dhe këta të fundit janë të paqëndrueshëm në sjelljen e tyre, sidomos kur mendojnë se vendi i tyre po ndihmon disa aleatë që nuk duan të shpenzojnë asgjë nga xhepat e tyre. Gati 60 vjet pas botimit të artikullit të famshëm “Partneriteti i trazuar” i Henry Kissinger, është ende një problem fakti që partnerët e SHBA-së po paguajnë ende një pjesë jo-proporcionale të kostos së mbrojtjes së Evropës.

Deri tani tani, 15 muaj nga nisja e luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë, publiku amerikan është ende pro mbështetjes së gjerë. Sipas një sondazhi të fundit të Harvard Harris, vetëm 23 për qind mendojnë se administrata e presidentit Joe Biden ka bërë “tepër” për t’iu kundërvënë Rusisë në Ukrainë.

Dhe vetëm 15 për qind e amerikanëve mendojnë se administrata Biden ka qenë “shumë e ashpër” në politikën e saj ndaj Kinës. Por historia na tregon se këto norma mund të rriten me shpejtësi, sidomos nëse vështirësohet situata ekonomike dhe teksa po afrohen zgjedhjet presidenciale.

Dhe kjo na çon tek çështja e udhëheqjes ekonomike të SHBA-së. Për sa kohë që ekonomia amerikane po ecën më mirë se ajo e aleatëve dhe rivalëve të saj, Uashingtoni ka luksin të vazhdojë të udhëheqë në mënyrën që po e shohim aktualisht në Ukrainë. Në dukje gjërat po duken mirë.

“The Economist” beson se SHBA-ja “po ecën mirë”, teksa po afrohet “kulmi i rritjes së Kinës”. Por nga një vështrim më i afërt duket se panorama është më pak rozë. Siç na e kujtoi klasa politike me lojën e saj të fundit mbi tavanin e borxhit, financat publike amerikane janë në një trajektore të paqëndrueshme.

Deficiti federal parashikohet të jetë mbi 5 për qind të PBB-së për 10 vitet e ardhshme, dhe do të arrijë në 7.3 për qind në vitin 2033. Në vitin 2029, shërbimi i borxhit pritet të tejkalojë shpenzimet e mbrojtjes. Por unë them se kjo mund të ndodhë akoma më shpejt.

Historia e perandorive të dikurshme që shpenzonin më shumë për pagesat e interesit sesa për sigurinë kombëtare nuk është aspak inkurajuese.

Indeksi i besimit ekonomik të Gallup, është aktualisht në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2009. Zyrtarisht, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë të njëjtën qasje në lidhje me “ç’rrezikimin” e marrëdhënieve të tyre ekonomike me Kinën. Por privatisht, evropianët kanë dyshimet e tyre.

Askush nga ata me të cilët bisedova në Evropë nuk priste shumë nga përpjekjet aktuale të Uashingtonit për të “shkrirë” Luftën e re të Ftohtë me Kinën. Sigurisht, shefi i CIA-s, William Burns, kreu një vizitë sekrete në Pekin për t’u takuar me homologët e tij, dhe    Sekretari i Shtetit Antony Blinken pati takime në Pekin fundjavën që shkoi.

Por Ministri kinez i Mbrojtjes, Li Shangfu, refuzoi të zhvillonte bisedime me homologun e tij amerikan Lloyd Austin në samitin e Shangri-La në Singapor dy javë më parë. Në fjalimin e tij në atë takim, Austin paralajmëroi se një konflikt mbi Tajvanin do të ishte “shkatërrues… do të ndikojë mbi ekonominë globale në mënyra që nuk mund t`i imagjinojmë”, teksa përsëriti thirrjet për komunikim më të madh midis ushtrive të dy superfuqive.

Por Li – që është ende nën sanksionet e SHBA të vendosura në 2018 – nuk ishte i interesuar të bisedonte mbi këto çështje. Fjalimi i tij në Shangri-La ishte tejet luftarak në kritikat e tij ndaj SHBA-së për “ndërhyrje me dashje në punët dhe çështjet e brendshme të vendeve të tjera … dhe që shpesh ka vendosur sanksione të njëanshme”.

Përfundimi i vetëm logjik është që bizneset amerikane të largohen nga Kina, jo vetëm për të zhdukur rreziqet por edhe për t’u shkëputur nga varësia nga Pekini. Por problemi për aleatët evropianë dhe aziatikë të Amerikës është se shkëputja nga Kina është shumë e vështirë për t’u bërë.

Mjafton të mendoni për investimet e mëdha që kanë bërë prodhuesit evropianë të makinave në fabrikat kineze të makinave elektrike. Udhëheqja amerikane do të ishte vërtet një ide e mirë. Por një udhëtim në Evropë e minon besimin tek ajo.

Shënim:Niall Ferguson, anëtar i Institutit Huver në Universitetin e Stenfordit. Libri i tij më i ri titullohet “Politika e katastrofës”.

 


Shtuar 19.06.2023 10:12

Tags: