"Faji i sistemit, jo i Valdrin Pjetrit"
Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, ka reaguar pas akuzave të ngritura ndaj Valdrin Pjetrit, i cili pak minuta më parë njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i kryebashkiakut të Shkodrës, pa e bërë ende betimin.

Përmes një statusi në "Facebook", Hajdari thotë se çështja e Valdrin Pjetrit vërteton për të disatën herë se sitemi ynë politik është i korruptuar dhe dështuar.

Sipas deputetes, problemi nuk qëndron tek individi, por tek liderat e forcave polike që promovojnë figura që kanë probleme me drejtësinë në pozicione të larta drejtuese.

Hajdari thekson më tej se shqiptarët e kanë humbur besimin tek të gjitha partitë politike, ndërsa zgjidhja e vetme sipas saj është ndryshimi i këtij sistemi politik që po shkatërron Shqipërinë.

Postimi i plotë

Çështja e Valdrin Pjetrit vërteton për të disatën herë se sa i korruptuar dhe i dështuar është sistemi ynë politik.

Një individ me të kaluar kriminale vendoset si përfaqësues i Partisë Socialiste për të marrë postin e Kryetarit të Bashkisë në qytetin e Shkodrës.

Problemi nuk qëndron tek individi, sa tek liderat partiakë që promovojnë figura të pista në pozicione të larta drejtuese apo sistemi i kalbur politik që lejon pseudo-liderat partiakë të tallen me qytetarët shqiptarë.

Ajo që është akoma dhe më shqetësuese është se nuk ekziston një alternativë për qytetarët, një figurë politike që t’i besojnë, pasi fatkeqësisht u është mbushur mendja se të gjithë janë njësoj.

Kanë humbur besimin tek kjo kastë politike që sheh vetëm interesin personal, duke e lënë në harresë interesin publik.

Qytetarët shqiptarë janë të distancuar komplet dhe nuk reagojnë edhe kur ndodhin ngjarje të tilla absolutisht të papranueshme, për një vend që aspiron futjen në BE, pasi u ka humbur shpresa.

E vetmja zgjidhje është ndryshimi i këtij sistemi politik e zgjedhor që po fundos Shqipërinë përditë e më shumë.

Opozita Parlamentare do të vijojë luftën kundër këtij sistemi akoma dhe më e vendosur me Reformën Zgjedhore, në mënyrë që shqiptarëve t’u jepet mundësia të jenë të përfaqësuar nga individë me figurë të pastër, si nga ana ligjore ashtu edhe nga ana etike.
Shtuar më 15/08/2019, ora 17:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori