EMRI/ Aprtamente dhe disa llogari bankare, SPAK kërkon sekuestrimin e pasurisë për të dënuarin nga drejtësia belge

SPAK ka regjistruar procedimin pasuror, në ngarkim të Veip Ormënaj, banues në Fier, i cili rezulton i dënuar për trafik droge në Belgjikë.

Pasuritë e Ormënaj kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i ketë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin pasuror nr.6 datë 23.02.2023, në ngarkim të shtetasit V. O., i datëlindjes 27.04.1976, lindur dhe banues në Fier.

Ky procedim pasuror është regjistruar mbi bazën e akteve të administruara në kuadër të referimit pasuror nr. 2769 datë 22.02.2023, ardhur nga Autoritetet Belge të Drejtësisë, në ngarkim të shtetasit V. O.

Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi V. O. është dënuar në Belgjikë me vendimin penal. Nr. 2012/CO/277, për veprat penale të “Trafikim i substancave narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, parashikuar nga nenet 283/a dhe 333/a i Kodit Penal.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit V. O., rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i ketë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale.
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenet 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (i ndryshuar) është paraqitur kërkesë për sekuestrimin e pasurive të shtetasit Veip Ormënaj .
Nga ana e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.13 datë 31.03.2023, është vendosur:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sekuestrimin e pasurive të subjektit nën hetim pasuror Veip Ormënaj, si dhe të personave të lidhur si më poshtë:
1. Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme me sipërfaqe totale 775 (shtatë qind e shtatëdhjetë e pesë) m2, e cila gjendet në Orikum, Vlorë dhe më konkretisht:
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 220.80m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 216.50m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 47.50m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 44.30m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 48.m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 58.70 m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 46.30.m2.
• Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 93.m2

Për sa i përket shumave të parave të administruara nga Bankat e nivelit të dytë, është vendosur sekuestro të shumave që ndodhen ne llogaritë si më poshtë:

  • Depozita në shumën prej 190.013.78 Eurosh.
    Depozita në shumën prej 68. 987.00 Eurosh.
    Vendimi nr.13 datë 31.01.2023, është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit sot në datën 05.04.2023.

Verifikimet pasurore lidhur me këta subjekte vijojnë deri në dokumentimin e plotë.

II.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin pasuror nr.4 datë 27.01.2023 ndaj shtetasit R. K., i datëlindjes 01.01.1979, lindur dhe banues në Turqi.
Hetimet në kuadër të këtij procedimi janë kryer në bashkëpunim me Autoritet Gjermane të Drejtësisë. Nga aktet e administruara rezulton se me datë 02.12.2020, ndaj shtetasit turk R. K. është nxjerrë një urdhër arresti evropian, pasi ky shtetas rezulton si kreu i një organizate kriminale e cila ka si aktivitet kriminal trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave. Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi R. K. është kreu i një organizate kriminale e cila ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike të llojit ‘’Heroinë’’ dhe ‘’Kokainë’’ në Roterdam, Hollandë e në Gjermani, ku bëhej grumbullimi e përpunimi i lëndës narkotike, e cila më pas shpërndahej në gjithë Evropën. Gjithashtu shtetasi R. K. si kreu i kësaj organizate kriminale nëpërmjet korrierëve të ndryshëm ka transportuar nga Gjermania në Turqi mbi 10 (dhjetë) milion euro, të cilat janë përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi R. K. ka udhëtuar në mënyrë të vazhdueshme në Shqipëri dhe ka bashkëjetuar me një shtetase shqiptare. Në vijim të hetimeve të kryera është dokumentuar fakti se R. K. ka investuar para në shuma të konsiderueshme në Shqipëri.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit R. K., rezulton se ka një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i ketë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale.
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenet 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (i ndryshuar) është paraqitur kërkesë për sekuestrimin e pasurive të shtetasit R. K.

Nga ana e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.8 datë 03.02.2023, është vendosur:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sekuestrimin e pasurive të subjektit nën hetim pasuror R. K., si dhe të personave të lidhur si më poshtë:
1. Pasurinë me adresë, Selitë, Tiranë, me sipërfaqe 1 000 m2, e llojit “ullishte”.
2. Automjeti tip Audi SQ7, me targa gjermane LR-II7777, me numer shasie Nr.WAUZZZ4M5HD052188.
3. Automjeti autoveturë, marka AUDI, tipi Q7, targa AA275SB, me shasi Nr.WUAZZZ4L3BD026080, viti i prodhimit 2011.
4. 25% të aksioneve të Operatorit Ekonomik “GLOBAL LEADER IN SPORT (GLS)” shpk- Nr. NIPT L92229020F, regjistruar më datë 29.10.2019.

  1. 50% të aksioneve të Operatorit Ekonomik “KESKINDAG” shpk- Nr. NIPT L71726012K, regjistruar më datë 26.05.2017.
    50% të aksioneve të Operatori Ekonomik “REALIZ” shpk- Nr.NIPT L71822022A, regjistruar më datë 22.06.2017, datë themelimi 05.06.2017.
    Vendimi nr.8 datë 03.02.2023, është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
    Verifikimet pasurore lidhur me këto subjekte vijojnë deri në dokumentimin e plotë.

III.
Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka përfunduar gjykimi në shkallë të dytë i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me objekt konfiskimin e pasurive në zotërim të shtetasit Arian Plaku, me banim në Durrës, bazuar në aktin normativ nr.1 datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, të miratuar me ligjin nr.18/2020.
Me vendimin nr.43 datë 03.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr.49 datë 01.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Me anë të vendimit gjyqësor të mësipërm është vendosur konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i pasurive në zotërim të shtetasit Arian Plaku, si më poshtë:
a. Pasuria e paluajtshme nr.24/190-N5, zona kadastrale nr.8512, e llojit “Njësi”, me sipërfaqe 200 m², ndodhur në lagjen nr.1, rruga “Taulantia”, pallati 12 katësh, kati I, Durrës.
b. Pasuria e luajtshme e llojit automjet i markës Chrysler, modeli Sebring, me targa AA137PT.
Për administrimin e pasurive të konfiskuara është ngarkuar Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.

 


Shtuar 5.04.2023 13:01