"Rama mund ta djegë Kuvendin për kulla"
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka mbërritur në protestën përpara Kuvendit.

Ajo ka përshëndetur fillimisht militantët e saj, e më pas bëri një deklaratë për mediet duke thënë se, kjo qeveri është zgjedhur me votat e krimit.

“Kjo është një qeveri e zgjedhur me mandate të blera nga votat e krimit. Tashmë kjo gjë ka marrë fund, pavarësisht situatës së krijuar, opozita është shumë e qartë për një mundësi të re. Kjo është mundësia e fundit për ta çuar Shqipërinë në BE. Opozita ka ofruar bashkëpunim për të bërë amendamente të ndryshme, por nuk u arrit asgjë. Nuk flasim vetëm për politikë, po pyesin shqiptarët nëse kanë mundësi për të jetuar, nëse kanë mundësi të paguajnë energjinë, ilaçet, dritat. Këtu është çështje e mbijetesës së një populli të tërë”, tha Kryemadhi.

Më tej, ajo u shpreh se mazhoranca duhej të kishte guximin të përballej me qytetarët.

“Edi Rama ka bërë gabime. Ai që është me të drejtën nuk ka frikë, por zhvillon seancë, zhvillon debate. Kjo është protesta më e madhe në 27 vite dhe është bërë nga opozita. Mazhoranca duhej të kishte guximin të përballej me qytetarët, ose me ne. Edi Rama thotë se protestuesit do të djegin Kuvendin, por mos u çudisni që Edi Rama ta djegë Kuvendin që të ndërtojë kulla”, tha Kryemadhi.
Shtuar më 21/02/2019, ora 12:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori