Paralajmëron Medvedev: Nëse Wagner merr në dorë armët bërthamore ruse, do të ndodhë katastrofa

Ish-presidenti Dmitry Medvedev ka thënë se bota do të jetë në prag të katastrofës nëse armët bërthamore ruse bien në duart e grupit të Wagner.

Tani nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Medvedev tha se kombi nuk do të lejojë që një kryengritje të kthehet në një grusht shteti ose një krizë globale, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS

Ndërkohë, ministria e jashtme e Rusisë ka paralajmëruar vendet perëndimore kundër përdorimit të rebelimit të grupit mercenar Wagner “për të arritur qëllimet e tyre rusofobike”.

Situata në Rusi u tensionua që të premten mbrëma, kur Yevgeny Prigozhin, udhëheqës i grupit mercenar rus, Wagner, bëri thirrje për rebelim kundër ushtrisë ruse.

Ai e akuzoi atë për sulme kundër forcave të tij në Ukrainë, edhe pse Moska e mohoi një gjë të tillë.

Wagner tha të shtunën se ka marrë nën kontroll qytetin rus, Rostov-on-Don, pranë kufirit me Ukrainën, dhe se tashmë është nisur drejt Moskës.

Disa rrugë dhe ura në kryeqytet janë mbyllur.

Rajoni i Moskës pezulloi të gjitha aktivitetet e mëdha në ambiente të jashtme deri më 1 korrik.


Shtuar 24.06.2023 18:19