Vrasja e të riut në Itali, dalin detajet e autopsisë, babai: Ishte aksidentale

Rezultatet e autopsisë dhe të ekspertizës së armës në lidhje me vrasjen e shqiptarit Enriko Aliaj në Itali, janë zbardhur. Burime bëjnë të ditur se ishte vetë viktima (Enriko) ai i cili shkrepi armën nga dora e tij gjatë lojës ‘Roulette Ruse’.

Pas ekspertizës, familja është njoftuar se vëllai i cili fillimisht u akuza si autor, është liruar. Tashmë pritet që trupi i viktimës të mbërrijë në Shqipëri në ditët në vijim e më pas varrimi do të kryhet në Has.

Kujtojmë se nëna e 20-vjeçarit, u shpreh se dy djemtë dhe shoku i tyre po luanin me pistoletë me mulli.

“Ka qenë djali Enriku, me Elhamin, vëllain e vet dhe një shok tjetër, ka qenë shok i djalit të dytë. Kanë hyrë në shtëpi bashkë. Fillimisht kanë hyrë dy djemtë, i vogli me shokun, më pas Enriku i ka përshëndetur dhe ka pasur me vete pistoletën me mulli. U ka thënë që po bënte një lojë, ka vendosur vetëm një plumb në të dhe u ka thënë se po bëj një lojë. Më pas djali i dytë thotë se e ka rrotulluar dhe në një moment ka rënë përtokë. U dëgjua krisma, ra djali përtokë.”– tha nëna e 20-vjeçarit.

Ndërkohë, babai i të riut shqiptar, ka deklaruar se vrasja ishte aksidentale. Shpend Aliaj, babai i Enrikos thotë se në momentin kur ndodhi ngjarja e rëndë, Enriko ishte në banesë me vëllanë e tij dhe një mikun e tyre.

“Nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur me djalin tim, mund të them vetëm se djali tjetër po luante me atë armë dhe u qëllua aksidentalisht”- tregon Shpend Aliaj.

Brenda në shtëpi në atë moment, përveç viktimës dhe vëllait të tij, ndodhej edhe një person i tretë, mik i dy të rinjve, i cili fillimisht ishte larguar por më pas është identifikuar nga karabinierët e Piacenza-s që kanë rastin në dorë.

 


Shtuar 11.06.2023 19:08