Nis punën linja e re e autobusit “Materniteti i Ri - ish Fusha e Aviacionit”, shtohen 17 mjete
Mijëra banorë të Njësisë Administrative Nr.7, që jetojnë në zonën e ish Fushës së Aviacionit, nuk do u duhet të ecin kilometra në këmbë për të arritur në qendër apo në zona të tjera të Tiranës. Bashkia e Tiranës ka mbajtur premtimin duke plotësuar një kërkesë të hershme të banorëve të zonës, duke vënë në funksion një linjë të posaçme autobusësh urbanë, e cila do të jetë zgjatim i linjës ekzistuese Materniteti i Ri-Qendër. Itinerari i ri i linjës që kalon përmes Rrugës së Kavajës dhe “21 Dhjetorit” u inspektua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili vlerësoi se me shtimin e automjeteve dhe kontrollit të vazhdueshëm, transporti urban në Tiranë ofron shërbim më të mirë.

Veliaj tha se linja ekzistuese ka pësuar rritje në flotën e automjeteve, duke rritur frekuencën e mbërritjes në stacione. “Mbajmë një premtim që e kishim bërë për banorët e njësisë 2 dhe 7. Këtu jemi në fund të ish Fushës së Aviacionit, i cili mund të kishte që para rënies së komunizmit që s’kishte parë autobusë. Është risi, kemi sjellë një linjë të re, e cila nga 11 autobusë i ka çuar në 17 mjete, për t’u siguruar që nga periferia afër Depos së Ujit në zonën e “Mihal Gramenos” e Maternitetit të Ri, deri këtu në zonën e ish Fushës së Aviacionit, duke kaluar kryq e tërthor Tiranës, përmes “21 Dhjetorit” dhe Inxhinierisë së Ndërtimit, u shërbejnë mijëra banorëve vetëm me një biletë. Më parë qytetarët duhet të ndërronin dy linja dhe paguanin dy bileta për të njëjtën distancë. Linja është e re dhe do të ketë një frekuencë çdo 10 minuta”, u shpreh kryebashkiaku, duke bërë të ditur se edhe këto automjete do të jenë të pajisura me sistemin GPS.

Veliaj shtoi se për të krijuar infrastrukturën e duhur që kjo linjë të funksionojë lirisht dhe pa vonesa do të bëhen edhe disa ndërhyrje të nevojshme në zgjerimin e rrugëve dhe heqjen e pengesave në pikat ku ka vështirësi. “Kemi njësuar abonenë, autobusët janë më të vegjël, duke pasur parasysh që është një zonë e mbindërtuar, me rrugica të ngushta. Kjo është edhe arsyeja pse do të bëjmë disa ndërhyrje, prishje të ndërtimeve pa leje dhe ndalime të parkimit në rrugë ku kalon autobusi. Bizneset e lavazhit apo gomisterive që dalin përtej territorit të tyre, duke rregulluar apo larë makina në rrugë, duhet të na mirëkuptojnë se në fakt rruga është hapësirë publike”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen bashkëpunues, pasi tërheqja brenda pronës së tyre do të mundësojë një shërbim më të mirë të transportit urban për mijëra qytetarë të tjerë. “Do të duhet të tërhiqen aty ku e kanë pronën e tyre, që më pas korsia tjetër të jetë e dedikuar për autobusin. Megjithatë, në komunitet ka qenë fantastik”, theksoi Veliaj.

Linjat “Materniteti i Ri - Qendër - Ish Fusha e Aviacionit” dhe “Qendër - Mihal Grameno -Qendër” që është linjë ekzistente, në segmentin Materniteti i Ri - Qendër - Ish Fusha e Aviacionit merr zgjatim përtej qendrës, në drejtim të Rrugës së Kavajës dhe në zonën e ish Fushës së Aviacionit. Linjat do të funksionojnë në mënyrë lineare me alternim orari, si dhe ka 17 mjete në inventar, nga 11 që ishin para fillimit të riorganizimit.

Organizimi i ri mundëson që jo vetëm të kenë mundësi më të mira të lëvizjes, e cila i shërben zonave të ndryshme të qytetit të Tiranës, por mundëson një shpërndarje në pika të ndryshme të qytetit, si dhe ndërlidhje me linjat e tjera që janë ekzistuese ose që gradualisht janë duke u futur në shërbim. Gjithashtu, linja do të jetë pjesë e sistemeve GPS që po instalohen dhe do të mundësojnë sistemin e monitorimit dhe të kontrollit në kohë reale nga ana e Bashkisë Tiranë, si dhe një sistem raportim/pikëzimi që lidhet me performancën e shërbimit./albeu.com/
Shtuar më 22/02/2017, ora 11:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori