4 familjarët e Ermonela Felajt në Prokurorinë e Tiranës, reagon kreu i KLP

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla duke raportuar në parlament për punën e bërë nga ky institucion ka komentuar edhe akuzat e fundit nga ana e opozitës për emërimet familjare në Prokurorinë e Tiranës.

Akuzat janë drejtuar kundër deputetes, Ermonela Felaj pasi disa të afërm të saj janë emëruar si pjesë e kësaj prokurorie, ndërsa Balla është shprehur se ky shqetësim e ka prekur dhe atë por përderisa e lejon ligji që është miratuar nga parlamenti nuk ka asnjë zgjedhje tjetër.

“Në lidhje me katër anëtarë të familjes së një deputeteje. Ne nuk i lidhim emrat dhe mbiemrat e prokurorëve me deputetë, disa i dimë dhe disa nuk i dimë kush i kanë lidhjet apo si i kanë me deputetët.

Por neve na shqetëson vetëm papajtueshmëria ambientale, duhet të dini që vetë ju në vitin 2019 keni miratuar një ligj i cili ka ardhur si nevojë e shfuqizimit që Gjykata Kushtetuese i ka bërë këtij neni.

Ne kemi diskutuar dhe rasti i fundit meqenëse e lidhni me disa emërime që kanë lidhje krushqie kunat, motër vëlla pranë Prokurorisë së Tiranës ka qenë një koincidencë që në këtë prokurori të madhe të aplikojnë.

Nëse ju që keni miratuar një ligj të ri në 2019, i cili vjen pas reformës në drejtësi mendoni se duhet ndryshuar, mund ta ndryshoni jeni të lirë, jemi dakord.

Ne e kemi pasur këtë shqetësim, në Komisionin e Karrierës është diskutuar kjo gjë. Ne si pengesë ligjore nuk kemi, ia kam bërë pyetje edhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë i thashë ‘Tani kemi hallin e moralit apo të zbatimit të ligjit’, unë personalisht nuk do të ngrija dorën për të dhënë një vendim kur jam 100% i sigurt që Gjykata Administrative mua do të ma rrëzojë”, deklaroi Balla.


Shtuar 3.07.2023 13:57