Kush janë 4 emrat në garë për të zëvendësuar Valdrin Pjetrin
Pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga posti i kreut të bashkisë Shkodër, kryesia e PS-së pritet të caktojë një emër të ri për të marrë postin.

Mbledhja e PS po mbahet ditën e sotme në Shkodër, ku mësohet se janë katër emra potencialë për të zëvendësuar Valdrin Pjetrin.

Ata janë: ish-zëvëndëskryeminsitrja Senida Mesi, Megi Ajtyresa që vjen si propozim i degës së PS Shkodër, Zef Çuni, ish-zëvëndësministër i Kulturës në Qeverinë “Rama 1” dhe Astrit Beci, mjek i njohur në Shkodër dhe ish-deputet i PS.

Megjithatë do të jetë kryesia e PS që do të vendosë mes këtyre kandidatëve potencialë.

Valdrin Pjetri u tërhoq nga marrja e detyrës së kryebashkiakut pas publikimit të dokumenteve kur rezultonte se kishte qenë vitë më parë i dënuar në Itali për shpërndarje narkotikësh. Këtë fakt, Pjetri nuk e kishte paraqitur në formularin e vetëdeklarimit, çka solli vendimin e largimit.

Sipas kalendarit të miratuar në asamble, në 16 shtator PS do të futet në një proces zgjedhor të gjatë për të zgjedhur drejtuesit e rinj të strukturave. Procesi do të zgjasë 5 muaj, duke nisur me 15-ditëshin e parë të shtatorit, kur socialistët do të përgatitjen për mbajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve për të kulmuar në votimin e delegatëve të Kongresit në janar të 2020.

Edi Rama nuk ka preferuar që të kërkojë një mandat tjetër për ndërtimin e partisë, por e ka zgjidhur me Statutin e Partisë. Sekretari organizativ, Arben Pëllumbi, është shprehur se “Kryetari i Partisë, pas një procesi zgjedhor të fituar, automatikisht e merr mandatin. Në rast se PS nuk do të kishte fituar, atëherë kryetarit i lind e drejta të hyjë në garë dhe do të kishte pasur edhe një proces për kryetarin”.

Afatet
Organizatat socialiste
16 shtator – 10 nëntor

Kryetarët e PS në çdo bashki
17 nëntor – 7 dhjetor

Konstituimi i KS dhe Asambletë

8-20 dhjetor

Kongresi Zgjedhor

Janar 2020


Shtuar më 28/08/2019, ora 12:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori