Trupi i emigrantes u gjet i dekompozuar, Mediet greke: Viktima doli nga shtëpia me vrasësin

Zbardhen prova të reja në lidhje me vrasjen e polakes në ishullin Ko në Greqi. Sipas informacioneve të publikuara në mediet greke, autoritetet e drejtësisë kanë në duar një video të viktimës duke dalë nga shtëpia së bashku me autorin kryesor të vrasjes, 32-vjeçarin nga Bangladeshi.

Video konfirmon se krimi nuk ka ndodhur brenda shtëpisë së 32-vjeçarit, ashtu sikur se ka dëshmuar në polici shoku i 32-vjeçarit. Aktualisht 32-vjeçari nga Bangladeshi ndodhet në paraburgim.

Akuzat me të cilat përballet 32-vjeçari janë për vrasje dhe rrëmbim. Autoritetet shpresojnë se rezultatet e analizave laboratorike do të japin përgjigje për identitetin e autorit.

Ai mohon akuzat, ndërsa mësohet se ka ndryshuar dëshminë e tij. Fillimisht mohoi se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të renë, por më vonë tha se ata kryen marrëdhënie por me dëshirën e plotë të 27-vjeçares fatkeqe.

Sakaq ka dyshime se autori nuk ka vepruar vetëm dhe se dikush e ka ndihmuar për të transferuar trupin e pajetë të Anastazias, i cili u gjet në një zonë të shkretë në gjendje të dekompozuar, i mbështjellë me qese dhe i mbuluar me degë e barishte. Në lidhje me ngjarjen policia mori në pyetje disa herë të dashurin e 27-vjeçares, gjithashtu nga Polonia. Por deri më tani nuk ka asnjë fakt që të dëshmojë përfshirjen e tij në krim, ndonëse dyshohet se e dinte se ku ndodhej partnerja e tij dhe nuk shkoi ta ndihmonte.

Informacionet që ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht thonë se pavarësisht apelit të dëshpëruar të 27-vjeçares, partneri i saj polak nuk është mobilizuar menjëherë edhe pse të dy kanë komunikuar me mesazhe.

“Nuk e njihnim 32-vjeçarin nga Bangladeshi”, thotë partneri i Anastazias 28-vjeçari duke folur për protothema.gr pohoi se as ai dhe as Anastazia nuk e njihnin 32-vjeçarin e arrestuar.

“ Nuk e njohim njeriun nga Bangladeshi që është arrestua. Ai nuk ishte as shok e as koleg nga puna e saj”, tha ai, ndërsa nuk e fshehu trishtimin për përfundimin tragjik të kërkimit për 27-vjeçarin.

“Jam në gjendje shumë të keqe psikologjike. Së bashku me mamanë e Anastazias bëmë gjithçka për ta gjetur dhe kishim një shpresë që ajo të ishte gjallë” , tha ai.

Nëna dhe partneri i Anastazias nisen për në Poloni Policia i ka dhënë leje nënës 27-vjeçares dhe partnerit të saj për t’u larguar nga ishulli Ko, por i ka kërkuar që të qëndrojnë në dispozicion kur t’iu kërkohet nga policia. Rasti ka ngjallur interes të madh në Poloni, me ambasadën e vendit që dërgoi një përkthyes në ishull për të mësuar nga afër se çfarë po ndodh në procesin para-hetues./albeu.com/