Komike: Gent Caka thotë se i heq detyrën një personi në kërkim ndërkombëtar
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht pas shpërthimit të skandalit të vëllezërve Sandesara, të cilët arritën të marrin shtetësinë shqiptare, madje njëri prej tyre edhe u emërua konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri.

Në mënyrë të vazhdueshme, ish-ministri Ditmir Bushati, që mbante detyrën kur personat në fjalë kanë marrë shtetësinë dhe detyrën e konsullit është përpjekur të heqë çdo përgjegjësi nga vetja duke ia kaluar topin SHISH-it, mirëpo kësaj linje po i mëshon edhe Gent Caka.

Përmes një reagimi publik, ministria thotë se nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur me dy vëllezërit që akuzohen se përvetësuan 1 miliard dollar përmes mashtrimit në Indi dhe janë shpallur në kërkim nga vendi i tyre.

Në kohë rekord ata morën shtetësinë shqiptare dhe u shpallën investitorë të rendësishëm në vend duke hapur disa kantiere ndërtimi në Tiranë dhe Dhërmi.

REAGIMI I MINISTRISW
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon sa më poshtë lidhur me rastin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara:

Procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.

Dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e z. Sandesara nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.

Për më shumë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.

Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm.

Shtuar më 25/03/2019, ora 15:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori