Stoltenberg: Rusia duhet të kthehet në marrëveshjen bërthamore

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu keqardhje për vendimin e Rusisë për të pezulluar pjesëmarrjen e saj në Traktatin e Reduktimit të Armëve Strategjike (START) dhe i bëri thirrje vendit të rishqyrtojë vendimin e saj.

“Më vjen keq për vendimin e sotëm të Rusisë për të pezulluar pjesëmarrjen e saj në START. I bëj thirrje asaj të rishqyrtojë vendimin e saj, të përmbushë detyrimet e saj”, tha Stoltenberg, duke vënë në dukje se e gjithë struktura e armatimit është “shpërbërë”.

Në të njëjtën kohë, ai përsëriti shqetësimet e SHBA-së se Kina mund të furnizojë Rusinë me armë për ta ndihmuar atë të vazhdojë luftën e saj kundër Ukrainës.

“Është Presidenti Vladimir Putin ai që ka nisur këtë luftë perandorake pushtuese. Është Putin ai që vazhdon të përshkallëzojë luftën. Ne jemi gjithashtu gjithnjë e më të shqetësuar se Kina mund të planifikojë të ofrojë mbështetje vdekjeprurëse për përpjekjet luftarake të Rusisë”, vuri në dukje sekretari i NATO-s.

Përveç kësaj, Stoltenberg theksoi se aleanca synon të ndihmojë Ukrainën të zhvillojë një sistem të prokurimit dhe furnizimit ushtarak dhe do të mbajë një takim ekspertësh për këtë qëllim. /albeu.com


Shtuar 21.02.2023 13:44