Kandidatit i Berishës i dëbuar nga Zvicra për drogë, reagon Prokuroria: Autoritetet zviceriane refuzuan t’i përgjigjen kërkesës sonë

Një ditë pas kërkesës së Partisë Socialiste për çregjistrimin nga zgjedhjet lokale të 14 majit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”,

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet për Rezart Tushën.

Në kërkesën e PS dorëzuar në KQZ, bëhet me dije se kandidati Rezart Tusha rezulton i dëbuar nga Zvicra në vitin 1997, për posedim të lëndëve narkotike, duke iu ndaluar hyrja në Zvicër për pesë vite.

Në lidhje me këtë Prokuroria bën me dije autoritetet gjyqësore zviceriane, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e ndihmës së ndërsjelltë juridike, për shkakun se informacioni nuk është kërkuar në kuadrin e një procesi penal ndaj subjektit në fjalë.

Për rrjedhojë Prokuroria thotë se Sektori i Dekriminalizimit do të vazhdojë të kryejë veprime të tjera për verifikimin e plotë për subjektin vetëdeklarues.

Me përfundimin e tyre rezultatet e verifikimeve do t’i dërgohen KQZ-së.

Informacion në lidhje me subjektin vetëdeklarues Rezart Tusha

Në Prokurorinë e Përgjithshme, mbi bazën e kërkesës së ardhur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, është regjistruar me nr.49, viti 2021, procesi i verifikimit të thelluar për subjektin vetëdeklarues, Rezart Xhelal Tusha, bazuar në Ligjin nr.238/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në kuadër të verifikimeve të kryera, rezulton se autoritetet gjyqësore zviceriane, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e ndihmës së ndërsjelltë juridike, për shkakun se informacioni nuk është kërkuar në kuadrin e një procesi penal ndaj subjektit në fjalë.
Në vijim të sa më sipër, duke synuar përdorimin e të gjitha rrugëve të mundshme ligjore për administrimin e informacionit që i shërben këtij procesi, Sektori i Dekriminalizimit ka vazhduar të kryejë veprime të tjera për verifikimin e plotë për subjektin vetëdeklarues. Me përfundimin e tyre rezultatet e verifikimeve do t’i dërgohen KQZ.


Shtuar 6.04.2023 13:00