Habit Taulant Balla: Më nxorën pistoletën, më mbajtën peng
Taulant Balla tregoi në 'Real Story' në News24, një rast në vitin 2007 kur është marrë peng në Shijak ku ndodhej si vëzhgues i PS.

"Unë them ilaçi për dhimbjen e kokës për këtë çështje është kjo. Sepse është një ilaç i testuar dhe në vende të tjera, depolitizimi i komisionerëve zgjedhorë. Në Francë, administrimin e procesit zgjedhor e bën xhandarmëria, në Itali Ministria e Brendshme.

Nuk jemi ne në fazën e besimit të palëve që ta bëj këtu…

Unë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në 2007, në zgjedhjet e pjesshme të bashkisë Shijak, më kanë nxjerrë pistoletën përpara dhe më kanë mbajtur peng për disa minuta sepse isha vëzhgues nga PS.

Duhet t’i shohim gjërat që këto nuk janë as të njërës palë as të tjetrës, janë histori që në këtë vend i zgjidh forca e ligjit dhe i zgjidhin padyshim rregullimet ligjore në kohë”, deklaroi Balla.

Ai mbajti të hapur sërish ftesën për opozitën për të marrë pjesë në diskutimet për reformën zgjedhore.

“PD-së i është dhënë mundësia të vijë në tryezë edhe pse në mënyrë krejt unilaterale vendosi të lëshojë vendet në parlament. Besoj se ka një reflektim për këtë çështje.

Tani hajde të diskutojmë, miratimin do ta bëjmë me deputetët që janë në sallën e Kuvendit. Dëshira jonë është që këtë çështje ta mbyllim. Duam ta bëjmë depolitizimin. Nëse PD është në funksion të këtyre problematikave duhet ta pranojë depolitizimin.

Për sa i përket çështjes së sistemit, çështja e sistemit nuk është një çështje ku palët mund t’i vënë kushte njëra-tjetrës. Personalisht jam kundër ndryshimit të sistemit me arsyet që është ende i ri dhe nëse kjo çështje hapet, padyshim që çdo parti politike do të vijë me propozimet e veta”, deklaroi Balla.

Shtuar më 21/10/2019, ora 23:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori