Parlamenti Evropian miraton vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian miratoi këtë të martë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, është miratuar qëndrimi i Këshillit dhe është miratuar akti i propozuar“, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet”, tha Qeveria e Kosovës në një komunikatë dërguar mediave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi këtë vendim si “fitore” jo vetëm për Kosovën, por edhe “për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë”.

“Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, shkroi ajo në Facebook.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.

Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Në Parlamentin Evropian nuk pritej të kishte ndonjë problem gjatë procedurës së miratimit, pasi një shumicë e madhe e deputetëve e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në fakt, Parlamenti Evropian ka qenë institucioni i BE-së, i cili më së shumti e ka mbështetur lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimisht ka qortuar Këshillin e BE-së dhe Komisionin Evropian për, siç është thënë, vonesa të panevojshme në këtë proces.

Akti ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet në nënshkruhet nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe ministrja për Evropën e Suedisë, Jessika Roswall, vendi i së cilës kryeson aktualisht Këshillin e BE-së.

Në ceremoninë e nënshkrimit janë ftuar të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.


Shtuar 18.04.2023 12:20