Ukraina “zbulon” planin e Putinit: Ka urdhëruar pushtimin e Donbasit deri në mars

Shërbimi inteligjent i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës pretendon se sipas informacioneve që disponon, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar gjeneralin e ri të forcave të armatosura të pushtojë Donbasin deri në mars.

Sipas Andrii Yusov, një zëdhënës i shërbimit inteligjent të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Vladimir Putin dëshiron që rajoni lindor i Ukrainës të jetë nën kontrollin rus brenda dy muajve të ardhshëm, dhe këtë e ka urdhëruar gjenerali i tij i ri, Valery Gerasimov.

Ukrainasit vazhdojnë të mohojnë se qyteti Soledar, në lindje të vendit, rreth dhjetë kilometra nga Bakhmut, qyteti kyç për mbrojtjen e Donbasit, është nën pushtimin e forcave të armatosura ruse. Në fakt, ushtria ukrainase publikoi një video që tregon se luftimet vazhdojnë.

Në fjalimin e tij të rregullt të hënën mbrëma, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pohoi se Rusia po përgatitet të përshkallëzojë sulmet për të marrë iniciativën e lëvizjeve në konfliktin e luftës. Ai gjithashtu pohoi se Rusia ka përqendruar forcat e saj në lindje.

“Ne e dimë shumë mirë se çfarë po përgatisin dhe çdo ditë e natë po punojmë për të reduktuar aftësitë e tyre ushtarake”, tha ai. /albeu.com


Shtuar 17.01.2023 07:52