Diktatorët po mësojnë nga njëri-tjetri, dhe po ia dalin të qëndrojnë në pushtet

Washington Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në pranverën e vitit 2012, Vladimir Putin po e ndjente presionin. Për muaj të tërë, protestat kundër tij ishin përhapur nëpër rrugët e Moskës dhe qyteteve të tjera pas zgjedhjeve parlamentare të manipuluara të dhjetorit 2011.

Putin që ishte gati të betohej për një mandat të tretë si president, kishte frikë nga revolucionet “me ngjyra” – Revolucioni i Trëndafilave i vitit 2003 në Gjeorgji, Revolucioni Portokalli i viteve 2004-2005 në Ukrainë – si dhe revolta të tjera popullore si Pranvera Arabe e viteve 2010-2012, gjatë së cilës u rrëzuan nga pushteti 4 diktatorë.

Deri në inaugurimin e tij në detyrë në maj 2012, autoritetet ruse i kishin toleruar demonstratat. Por kur protestat në rrugë shpërthyen sërish, shumë njerëz u dhunuan kur policia ndërhyri në mënyrë brutale duke arrestuar qindra protestues. Dhe më 20 korrik, Putin nënshkroi një projektligj – që u miratua në parlament brenda 2 javësh – për t’i dhënë qeverisë një dorë të fortë mbi organizatat joqeveritare (OJQ), të cilat ai dyshonte se qëndronin prapa protestave.

Sipas ligjit të ri, çdo grupim joqeveritar që merrte fonde nga jashtë Rusisë dhe merrej me “veprimtari politike” duhej të regjistrohej si “agjent i huaj” në Ministrinë e Drejtësisë, në të kundërt do të përballej me gjoba të rënda. Ai i gjymtoi këto grupime, të cilat ishin shtylla kurrizore e një shoqërie civile të sapolindur që kishte lulëzuar në vitet 1990 në Rusi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Organizata të tilla janë bërthama e një demokracie të shëndetshme, pasi ofrojnë një kanal të pavarur dhe autonom ku njerëzit mund të shprehin dëshirat dhe aspiratat e tyre. Një nga grupet e para që u shënjestrua ishte “Memorial”, i themeluar gjatë viteve të reformave të mëdha të udhëheqësit të fundit sovjetik Mikhail Gorbachev, për të mbrojtur të dhënat historike të represioneve të regjimit komunist dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut në ditët e sotme.

Putin ishte i vendosur që ta mbyllte atë dhe organizata të ngjashme. Shumë shpejt, ligje të ngjashme nisën të shfaqen në mbarë botën. Në vitet në vijim, të paktën 60 vende miratuan ose hartuan ligje që synonin të kufizonin veprimtarinë e OJQ-ve, dhe 96 vende të tjera zbatuan politika të tjera që sërish ushtronin presion mbi veprimtarinë e tyre.

Kjo valë e masave shtypëse na ofron një shembull të qartë të asaj që ndodh në luftën titanike midis demokracisë dhe autoritarizmit. Gjatë dekadës së kaluar, diktatorët kanë krijuar lidhje transnacionale, kanë ndarë metodat, kanë kopjuar taktikat, dhe kanë mësuar nga njëri-tjetri.

Ata po gjejnë mënyra të reja për të shtypur lirinë e fjalës dhe gazetarinë e pavarur, për të ndaluar aktivitetin e OJQ-ve dhe për t’u mbyllur gojën disidentëve. Diktatorët duan mbi të gjitha që të mbijetojnë në pushtet. Dhe ata po ia dalin, duke kopjuar metodat e suksesshme të njëri-tjetrit

Në vitin 2015, Rusia miratoi një ligj të ri që e etiketonte si “të padëshirueshme” çdo organizatë që qeveria e konsideronte një kërcënim për sigurinë kombëtare. Një nga organizatat që u ndalua ishte Fondacionet e Shoqërisë së Hapur i krijuar nga George

Soros, që dikur kishte ndihmuar financiarisht shkencëtarët rusë në vitet e para të krizës së rëndë ekonomike që pasoi shembjen e BRSS.

Midis ish-republikave sovjetike, Azerbajxhani ishte i pari që kopjoi ligjet ruse kundër zërave kundër apo të pavarur nga regjimi. Më pas erdhi Taxhikistani në vitin 2014 dhe Kazakistani në 2015-ën. Më vonë edhe Egjipti vendosi në pikëpyetje rolin e OJQ-ve.

Në vitin 2013, gjykatat dënuan 43 punonjës të ojq-ve, përfshirë amerikanë, egjiptianë dhe evropianë, shumë prej tyre në mungesë, me akuzat se po vepronin pa miratimin e qeverisë. Edhe pse të 43 personat u shpallën të pafajshëm, ngacmimet ndaj shoqërisë civile vazhdojnë.

Kina, që në fillim i lejoi OJQ-të të ekzistonin në një zonë ligjore “gri”, nisi të ketë një qëndrim më të ashpër pasi Xi Jinping erdhi në pushtet në vitin 2012. Një ligj i ri mbi OJQ-të hyri në fuqi në vitin 2017, duke e forcuar kontrollin e shtetit mbi financimin e huaj dhe vendas për grupet e shoqërisë civile.

Por si arritën kaq shumë vende të bëjnë të njëjtën gjë në të njëjtën dekadë? Përgjigjet janë të vështira për t’u gjetur, sepse diktaturat mbulohen me vello fshehtësie. Por Stephen Hall, profesor në Universitetin Bath në Britani, ka zbuluar prova që diktatorët kopjojnë dhe mësojnë nga njëri-tjetri.

Libri i tij i ri “Autoritarianët ndërkombëtarë” analizon në detaje se si funksionon kjo gjë.

Sipas Hall, regjimet autoritare duhet të ruajnë vazhdimisht iluzionin e kontrollit të palëkundur të pushtetit. Nëse relaksohen qoftë edhe për një minutë ky iluzion mund të zhduket. “Protesta është si një vrapim në bankë. Protestuesit duhet ta bëjnë vetëm një herë. Sepse për autokracitë, protesta dhe mospajtimi janë një kërcënim ekzistencial. Të gjithë ata e kanë parë se çfarë ndodh me autokratët në përgjithësi, Gadafi duke u tërhequr zvarrë nëpër rrugë dhe duke u rrahur për vdekje…

Ata e dinë se nëse një vend në një rajon bëhet demokratik, është e sigurt se kjo gjë do të ndodhë edhe me pjesën tjetër. Ndaj mënyra më e mirë për të siguruar mbijetesën është të mësosh, të bashkëpunosh dhe të ndash praktikat më të mira, sepse duhet vazhdimisht të qëndrosh një hap përpara”- thotë studiuesi.

Hall thekson se Rusia e ka parë shpeshherë Bjellorusinë si një terren stërvitor dhe si burim metodash autoritare. Në vitin 2002, lideri autoritar bjellorus Alexander Lukashenko krijoi Unionin Rinor Republikan Bjellorus, një organizatë patriotike pro regjimit që mund të merrte kontrollin e rrugëve në Minsk në rastin e një përpjekjeje për një revolucion shumëngjyrësh. Pas Revolucionit Portokalli në Ukrainë, Kremlini krijoi shpejt grupet e veta të “të rinjve patriotë”. Vite më vonë, kur Lukashenko po përballej me protesta të mëdha pas vjedhjes

së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, Putin i erdhi në ndihmë. Për shembull, kur punonjësit e televizionit shtetëror bjellorus braktisën punën në shenjë proteste ndaj manipulimit të zgjedhjeve, Putin dërgoi specialistët rusë për të vazhduar transmetimet.

Po ashtu, Bjellorusia bashkëpunon edhe me Kinën, e cila i ka ofruar prej kohësh teknologjinë e njohjes së fytyrës. Gjiganti kinez i telekomunikacionit Huawei ka ngritur qendra kërkimore në Bjellorusi ndërsa ka pranuar studentë bjellorusë për t’i trajnuar.

Disa nga leksione për udhëheqësit autoritarë e kanë origjinën tek librat e historisë. Magnus Fiskesjö, profesor në Universitetin Cornell, thotë se dekadën e fundit Kina ka rikthyer gjyqe farsë, me dëshmi të inskenuara të marra nën tortura, duke kopjuar epokën e Maos dhe duke rikthyer gjyqet farsë të Stalinit në BRSS gjatë viteve 1930.

Procese të tilla ja përdorur kundër gazetarëve, blogerëve, akademikëve, avokatëve dhe argëtuesve. Sigurisht, edhe Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera bashkëpunojnë midis tyre dhe shpenzojnë miliarda dollarë çdo vit për promovimin e vlerave të shoqërive të hapura dhe sundimit të ligjit në mbarë botën. Ashtu si diktatorët, edhe demokracitë ndajnë taktika dhe metoda me njëra-tjetrën.

Por ka një ndryshim të rëndësishëm: Përhapja e demokracisë apelon – dhe mbështetet tek – individët dhe mendimi i lirë, ndërsa autokratët synojnë mbijetesën e tyre duke mbytur zërat individualë.

Të gjithë ata që besojnë tek demokracia, duhet të gjejnë mënyra të reja për ta çuar përpara atë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani, kur demokracia ka humbur shkëlqimin në mbarë globin. Forca më e madhe e demokracisë është hapja. Ajo duhet të shfrytëzohet për të thënë të vërtetën me zë të lartë dhe sa më gjerësisht. /albeu.com


Shtuar 24.06.2023 09:59