110 mln euro për Becchettin, a do tërhiqet qeveria nga rritja e rrogave dhe pensioneve? Balluku: Shqipëria nuk do merret peng nga një kriminel

Ditën e sotme Arbitrazhi i dha fund procesit gjyqësor për biznesmenin italian Francesco Becchetti duke e detyruar Shqipërinë që ta dëmshpërblejë atë me 110 milionë euro.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku pas mbledhjes së qeverisë ka folur për gazetarët dhe ka sqaruar se ky vendim nuk do të prekë premtimin e kryeministrit për rritjen e rrogave.

Balluku: Rritjen e pagave dhe pensioneve nuk e ndikon dot asgjë sepse është një vendim tashmë i marrë nga qeveria shqiptare. Ne dalim me programe të studiuara dhe miratuara dhe pastaj i bëjmë publike. Nuk dalim, themi dhe pastaj del një vendim gjyqi dhe na i ndryshon. Më vjen keq që ndjej nota kënaqësie për këtë vendim, por duhet të them që nëse i referoheni vendimeve të Gjykatës Supreme të Britanisë, shtetet për shkak të sovranitetit kanë të drejtë të mos marrin marrasysh këto vendime. Ky është pozicioni ynë.

Zëvendëskyryeministrja shtoi se gazetarët duhet t’i referohen postimit të Ramës në Twitter, pasi qeveria shqiptare do të luftojë për sovranitetin e këtij vendi ashtu sic i takon dhe do të mbrojë Republikën e Shqipërisë nga çdolloj krimineli i dënuar me 10 apo 17 vite, i cili ka kryer krime të faktuara nga gjykatat.

Balluku: Nuk ka shans që qeveria shqiptare të lejojë që Shqipëria të merret peng nga një kriminel i këtij niveli dhe ne luftën nuk po e bëjmë vetëm për vendin tonë. Kur Shqipëria të fitojë luftën me rastin në fjalë, do të kemi ndihmuar edhe disa vende të tjera dhe disa kompani të tjera që prej vitesh dhunohen nga i njëjti kriminel./Albeu.com/

 


Shtuar 5.04.2023 13:48