DOSSIER/ Baza ajrore e Gjadrit, më e armatosura në Europë gjatë kohës së saj
Ish-aviatori Agim Bacelli rrëfen mbi bazën më të madhe ajrore shqiptare dhe një nga më të mëdhatë e më modernet në Europë, gjatë komunizmit, falë infrastrukturës tepër speciale që kishte. Kurse tani përdoret vetëm si strehim, për një numër avionësh të ngelur…

Baza ajrore, që cilësohej si njësia më e armatosur e Forcave Ajrore Shqiptare. Kjo ka qenë ajo e Gjadrit, fluturimet në të cilën filluan pikërisht me rastin e ditëlindjes së ish-diktatorit, më 16 tetor 1976.

Detaje të tjera interesante rreth saj nga ish-aviatori Agim Bacelli për “Albanian Free Press”. Sipas tij, kjo bazë u bë për herë të parë publike, “kur në vitet pas regjimit komunist u përdor nga CIA amerikane në operacionet e vëzhgimit të hapësirës së ish-Jugosllavisë gjatë luftës së Bosnjës”.

“Nga baza operuan katër avionë spiunë të telekomanduar (dron) “Predator II”, me pak sukses. Dhe duke vuajtur nga prerja e fondeve, baza ndaloi funksionimin në vitin 2000…”, rrëfen ai…

***

Baza ajrore e Gjadrit, ishte baza më e madhe ajrore shqiptare dhe një nga më të mëdhatë e më modernet në Europë të asaj kohe, falë infrastrukturës tepër speciale që ajo kishte. Pista ajrore u ndërtua në një mënyrë të tillë që pas uljes, avioni të mund të futej direkt në një tunel të nëndheshëm në formë “U”-je në malin e Kakariqit. Ky tunel me një gjatësi mbi 600 metra, gjerësi mbi 15 metra dhe lartësi mbi 9 metra, ishte edhe shtëpia 12 avionëve MiG-21 dhe 36 avionëve MiG-19. Plus që ishin dhe 6 avionë Mig-17 mësimorë, dy për çdo skuadrilje. Kapaciteti i tunelit ishte mbi 50 avionë, bashkë me personelin dhe një ofiçinë riparuese në rast lufte.

Fillimisht, regjimenti u pagëzua me numrin 5646. Përveç pistës kryesore 3000 metra të gjatë dhe 60 metra të gjerë, ishte ndërtuar dhe “Pista Urgjente” për ngritjet direkt nga tuneli dhe për uljet avari. Kjo pistë kalon mes përmes fshatit Gjadër.

Fluturimet si regjiment ajror i kompletuar filluan afër fundit të vitit 1976, pikërisht më 16 tetor, me rastin e ditëlindjes së Enver Hoxhës dhe morën formë të plotë gjatë vitit 1977, kur fluturimin e parë stërvitor-luftarak e bënë pilotët Bardhyl Taçi, Harilla Rebi dhe Kristaq Llambi Burda.

Hapja e bazës

Hapja e bazës shënohet në 15 mars 1974, ndërsa një vit më parë, për festën e Forcave të Armatosura, në 10 korrik 1973 u ul avioni i parë. Kjo bazë u bë “shtëpia” e regjimentit të ri 5646 të gjuajtësve, duke përmbledhur fillimisht një skuadrilje me gjuajtësin “F-6/ MiG-19S”. Më pas, në maj 1976, në bazë erdhën gjashtë trajnues të avancuar “FT-5 “( një version kinez ky dy-vendësh i ardhur nga MiG-17) dhe pak kohë më vonë, një skuadrilje “F-7A/MiG-21F-13”. Kompletimi përfundimtar u bë në 16 tetor 1976, kur një Skuadrilje e terë “F-6/MiG-19S” mbërriti në Gjadër e ardhur nga Kuçova. Pas kësaj, baza cilësohej njësia më e armatosur e Forcave Ajrore Shqiptare. Vitet e fundit të funksionimit, njësia u riemërtua Regjimenti 4010 i Gjuajtësve. Ndërkaq, baza u bë për herë të parë publike, kur në vitet pas regjimit komunist u përdor nga CIA amerikane në operacionet e vëzhgimit të hapësirës së ish-Jugosllavisë gjatë luftës së Bosnjës. Konkretisht, nga baza operuan katër avionë spiunë të telekomanduar (dron) “Predator II”, me pak sukses. Dhe duke vuajtur nga prerja e fondeve, baza ndaloi funksionimin në vitin 2000. Kurse tani përdoret si strehim për një numër avionësh të ngelur….

Të dhënat specifike të bazës

Kodi i identifikimit nga ICAO: LAGJ.

Gjerësia gjeografike: 41.98 gradë.

Gjatësia gjeografike: 19.59 gradë.

Lartësia nga niveli i detit: 7 metra.

Variacioni Magnetik: 003 gradë.

Pista kryesore me azimutet:

16/34 prej 2600 x 60 metra

Pista ndihmëse me azimutet:

17/35 prej 2204 x 24 metra.
Shtuar më 25/12/2018, ora 16:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori