Slavoj Žižek: Perëndimi është i humbur pa sinjalizues që hedhin dritë mbi skandalet e pushtetit

Nga Slavoj Žižek “Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në fillim të këtij muaji, CNN raportoi se një gjykatë britanike i ka mohuar themeluesit të Wikileaks, Julian Assange “lejen për të apeluar një urdhër për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara, ku ai përballet me akuza penale sipas Aktit të Spiunazhit”.

Edhe pse ekipi avokatëve të Assange do të vazhdojë të eksplorojë se cilat janë opsionet e tij, është e qartë se po shtërngohet laku rreth qafës së tij. Koha nuk është në anën e Assange. Autoritetet amerikane dhe britanike që po e ndjekin atë, kanë luksin të presin që të zbehet edhe ai pak interesi publik i mbetur mbi rastin e tij për shkak të luftërave, ndryshimeve klimatike, ankthit për Inteligjencën Artificiale dhe problemeve dhe sfidave të tjera globale.

Por nëse duam vërtet që të menaxhojmë sfida të tilla, do të na duhen njerëz si Assange. Sepse kush tjetër do t’i nxjerrë në pah të gjitha abuzimet dhe të vërtetat e papërshtatshme që ata në pushtet duan t’i mbajnë sekret, qofshin këto krime lufte apo zbulime mbi dëmin që po u shkaktojnë kompanitë e mediave sociale vajzave adoleshente?

Një rast i tillë është sulmi i fundit me dron dhe në një shkallë të vogël ndaj Kremlinit. Ndërsa qeveria ukrainase mohoi çdo lloj përfshirje (duke ia atribuar atë forcave të opozitës ruse), presidenti rus Vladimir Putin e denoncoi menjëherë atë si një “akt terrorist”, në një kohë që disa analistë perëndimorë u ankuan se ukrainasit po e çonin luftën shumë larg.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Fakti që nuk e dimë, do të thotë se ngjarjet po zhvillohen nën një mjegullnajë shumë të rrezikshme. Por dikujt i kujtohen rreshtat e fundit të dramës “Opera për 3 grosh” e Bertold Brecht: “Dhe disa janë në errësirë, të tjerët në dritë. Por ju shihni vetëm ata që janë në dritë, nuk i shihni ata në errësirë”.

Sa mirë e përshkruajnë ato epokën e sotme mediatike. Ndërsa mediat kryesore janë sot plot me lajme për Ukrainën, gazetarja Anjan Sundaram thekson se “luftërat e mëdha” në Republikën e Afrikës Qendrore, Republikën Demokratike të Kongos dhe gjetkë nuk marrin pothuajse asnjë vëmendje.

Kjo asimetri nuk do të thotë që duhet të zbehim mbështetjen e plotë për Ukrainën. Por nga ana tjetër kjo na detyron të mendojmë se si ta kornizojmë këtë mbështetje. Ne duhet ta hedhim poshtë idenë se Ukraina meriton ndihmë kryesisht sepse “gjëra të tilla s’duhet të ndodhin në Evropë” apo se ne “po mbrojmë qytetërimin perëndimor”.

Tek e fundit, përveçse po i shpërfill tmerret që ndodhin jashtë kufijve të tij, qytetërimi perëndimor është shpeshherë bashkëfajtor për to. Në vend të kësaj qasjeje, evropianët dhe perëndimorët e tjerë duhet ta pranojnë se me pushtimin e Ukrainës, ne kemi provuar një “shije” të asaj që ka ndodhur diku tjetër gjatë gjithë kohës, pra pak përtej rajonit që zakonisht na intereson.

Lufta na detyron që të marrim parasysh atë që nuk dimë, atë që s’duam të dimë dhe atë që e dimë por nuk duam që të na shqetësojë. Ne kemi nevojë për njerëz si Julian Assange që të detyrojnë ndodhjen e llogaridhënieve të tilla. Pra që të japin mundësin të shohim “ata që veprojnë në errësirë”.

Natyrisht, Assange mund të kritikohet me të drejtë për fokusin e tij ekskluziv ndaj Perëndimit liberal dhe injorimin e padrejtësive edhe më të mëdha në Rusi dhe Kinë. Por këto padrejtësi tashmë janë shumë të dukshme në mediat tona. Ne po lexojmë për to gjatë gjithë kohës.

Nëse Assange është fajtor për zbatimin e një standardi të dyfishtë, të tillë janë edhe perëndimorët që e dënojnë Iranin, ndërsa mbyllin sytë ndaj Arabisë Saudite. Siç pyet Mateu 7:3 në Bibël “Pse e sheh grimcën e tallashit në syrin e vëllait tënd dhe nuk i kushton vëmendje dërrasës që ka zënë syrin?”.

Assange na ka mësuar të pranojmë jo vetëm dërrasën që ndodhet para syrit tonë, por edhe lidhjet e fshehura midis saj dhe tallashit në sytë e armiqve tanë. Qasja e tij na lejon të shohim sërish shumë nga betejat e mëdha që konsumojnë median dhe politikën tonë.

Për shembull merrni konfliktin midis të djathtës së re populiste dhe të majtës revizioniste. Në fund të muajit maj, Distrikti i Shkollës Davis në shtetin e Utah në SHBA e hoqi Biblën nga shkollat e tij fillore dhe të mesme, pasi një prind u ankua se ajo “nuk ka vlera serioze për të miturit” sepse përmban histori pornografike sipas përkufizimit tonë të ri” dhe bazuar në një ligj për ndalimin e librave të miratuar më parë.

A është ky vetëm një rast i Mormonëve që po zhvillojnë një luftë kulturore kundër të krishterëve? Përkundrazi, distrikti ka marrë që atëherë një kërkesë tjetër, këtë herë për të rishikuar Librin e Mormonit për shkelje të mundshme të ligjit.

Pra, kush qëndron pas këtyre kërkesave? A është e majta revizioniste që kërkon hakmarrje për ndalimin e materialeve për çështjet e racës dhe LGBT+? Apo e djathta e radikalizuar, që zbaton kritere të rrepta të vlerave familjare në tekstet e saj të dashura?

Tek e fundit, përgjigja për këtë nuk ka rëndësi, sepse edhe e djathta e re edhe e majta revizioniste kanë përqafuar të njëjtën logjikë të intolerancës. Me gjithë armiqësinë e tyre ideologjike, ato pasqyrojnë njëra-tjetrën.

Ndërsa e majta dëshiron të çmontojë themelet e saj politike (traditën emancipuese evropiane), e djathta mund të ketë fituar më në fund guximin për të vënë në dyshim turpet që përmbajnë tekstet e saj themeltare.

Në një ironi tejet mizore, tradita demokratike perëndimore e autokritikës ka degraduar deri në absurditet, duke mbjellë farën e shkatërrimit të saj. Çfarë çështjesh po lëngojnë në errësirë, ndërsa ky proces e mbulon gjithë dritën? Kërcënimi më i madh për demokracitë perëndimore nuk është Assange dhe transparenca që ai përfaqëson, por më tepër nihilizmi dhe vetëkënaqja që ka karakterizuar politikën e tyre.

Shënim:Slavoj Žižek, profesor i filozofisë dhe drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për Shkenca Humane në Universitetin e Londrës.

 


Shtuar 23.06.2023 10:06