Akt-ekspertimi që lehtësoi Rrajat! Mjeku ligjor Elton Serani ekspertoi edhe Xhisiela Malokun që u dhunua nga Rexhep Rraja

Siç raportuam dhe një ditë më parë, Prokuroria do të vijojë hetimet për dhunën e Rrajave ndaj fisit Maja, si “plagosje e lehtë me dashje”.

Sot, Report TV ka siguruar akt ekspertimin mjeko ligjor që lehtëson akuzat ndaj anëtarëve të fisit Rraja për dhunën barbare të ushtruar në Krujë më 6 korrik 2023 ndaj kushërinjve Jashar e Bilbil Maja, pas konfliktit për guroret.

Nga akt ekspertimi i përpiluar nga mjeku ligjor Elton Serani dhe e klasifikon ngjarjen si “plagosje të lehtë” pasi dëmtimet nuk kanë qënë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit të tyre dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën 9 ditë.

“Referuar kartelës ditore të SUT Tiranë rezulton se në trupin e shtetasit Bilbil Maja u konstatua thyerje e kockës frontale-parietale të anës së djathtë të kokës pa dëmtime të indit trunor, plagë në lekurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë, si edhe shembje e indeve të buta të kokës, trupit dhe gjymtyrëve.  Këto dëmtime janë shkatuar me mjet të fortë mbretës.

Dëmtimet e mësipërme nuk kanë qënë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit të tyre dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën mba 9 (nëntë) ditë” thuhet në raportin mjeko ligjor të firmosur nga Elton Serani dhe mban datën 24 korrik 2023.

Mbështetur në kriterin mjekësor, të parashikuar në ligj, dëmtimet e shtetasve Jashar e Bilbil Maja e klasifikojnë veprën penale të kryer ndaj tyre si “plagosja e lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.

Rezulton se i njëjti mjek ka ekspertuar dhe Xhisiela Malokun në 25 korrik 2018 pas akuzave të saj për dhunë ndaj Rexhep Rrajës. Në akt ekspertim, dhuna ndaj Xhisielës hynte në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë së përkohshme për punë në masën deri në 9 ditë. Ekspertiza konfirmonte atëherë dhe faktin e djegies me cigare të përmendur dhe nga Xhisiela Maloku në kallëzimin për përndjekje që ajo kishte bërë pranë SHÇBA-s në drejtorinë e policisë Durrës në korrik 2018.

 


Shtuar 12.09.2023 12:52