U ekzekutua në mes të ditës nga bashkatdhetari në Selanik, zbulohet identiteti i viktimës

Shpëtim Bajrami është 50-vjeçari shqiptar që u ekzekutua në mes të ditës dje në Selanik nga bashkatdhetari i tij.  Ngjarja e përgjakshme ndodhi dje në orën 12.35 jashtë një karburanti në rrugën Solonos 51, para syve të kalimtarëve.

Sipas dëshmive, autori dhe viktima dyshohet se njiheshin me njëri-tjetrin dhe pak kohë para vrasjes kanë qenë të ulur së bashku në një lokal të zonës. Sapo 50-vjeçari ka ndalur makinën në pikën e karburantit, autori e ka ndjekur me mjetin me ngjyrë të zezë që drejtonte dhe është ndalur pikërisht pranë tij. Dy burrat filluan të debatonin dhe viktima iu afrua vrasësit të tij. Ky i fundit nuk kishte dalë nga makina.

Në videon e regjistruar nga kamerat e sigurisë së karburantit, shihet momenti kur 50-vjeçari i afrohet sulmuesit dhe tenton ta godasë nga dritarja e pasagjerit dhe më pas ai e qëllon, nga brenda makinës duke e lënë të vdekur.

Viktima, sipas informacioneve, ka marrë të paktën tre plumba. Sapo 50-vjeçari është rrëzuar në asfalt, “killeri” ka shkelur gazin dhe ka ikur me makinën e tij dhe që prej atëherë është në kërkim nga policia.

Burime policore, duke folur për protothema.gr, raportuan se efektivët e EL.AS. kanë arritur të identifikojnë autorin nga targa e makinës me të cilën ai udhëtonte.

Sipas të njëjtave burime, bëhet fjalë për një person nga Shqipëria, i cili ka të shkuar kriminale. Hetimet për gjetjen e tij janë duke vazhduar, por deri më tani ai mbetet në arrati.

Një hetim paraprak po kryhet nga seksioni i Krimeve kundër Jetës në Drejtorinë e Sigurimit të Selanikut, ndërsa po shqyrtohet mundësia që autorët dhe viktima të kenë pasur konflikte për para./albeu.com