Arrestimi i kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, qytetarët e Himarës: Beleri na premtoi 10 mijë lekë për votë

Nuk kanë të ndalur akuzat ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Beleri u arrestua pak minuta pas mesnate, me akuzën e shit blerjes së votave. Ndalimi i Belerit është bërë në mënyrë flagrante, pasi ai në bashkëpunim me persona të tjerë ka premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.

Akuzat ndaj Belerit i kanë pohuar edhe vetë qytetarët e Himarës dhe Dhërmiut.

Ata kanë thënë për mediet se janë kontaktuar për të marrë lekë nga Fredi Beleri dhe mbështetësit e tij. Sipas tyre Beleri u ka ofruar 10.000 lekë të reja për votë.

Ndalimi I Belerit vjen disa ditë pas debateve politike në lidhje me një deklaratë të tij në një intervistë në mediat greke.
Sipas kryeministrit Edi Rama, kandidati i opozitës për bashkinë e Himarës, ka deklaruar në mediat greke se “Beleri ka premtuar helenizimin e Himarës”.

Duke dënuar këtë deklaratë, kryeministri i kërkoi drejtuesve të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” Sali Berisha dhe Ilir Meta të tërheqë kandidaturën e Belerit. Vetë kandidati opozitar reagoi duke thënë se nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë. Pas ndalimit të Belerit, Ministria e Jashtme greke reagoi duke deklaruar se ka udhëzuar ambasadoren e Greqisë në Tiranë të zhvillojë një takim në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për të kërkuar informacione për këtë ngjarje.

Përballë Belerit në Himarë garon kandidati i Partisë Socialiste, Gjergji Goro, kryetari aktual i kësaj bashkie në jug të Shqipërisë. Beleri kishte njoftuar në rrjetet sociale një takim pasditen e sotme për të përmbyllkur fushatën zgjedhore./albeu.com/


Shtuar 12.05.2023 12:11