EMRAT/ Si nëpër filma, terrorizuan 39-vjeçarin në Pogradec, shpallen në kërkim dy persona

Dy të rinj, Mario Xhangolli dhe Sindi Syzo janë shpallur në kërkim nga policia e Pogradecit, pasi kanë ndjekur dhe kërcënuar 39-vjeçarin, Eris Çekani.

Policia bën me dije se dy të rinjtë të moshës 30 dhe 28 vjeç përplasën me automjetin e tyre tip ‘Hummer’, makinën në të cilën lëvizte 39-vjeçari Eris Cekani.

Pas përplasjes së automjetit dy personat në fjalë kanë dalë jashtë dhe kanë kërcënuar dhe kanosur 39-vjeçarin. Pasi e kanë kërcnuar kanë hipur në automjet për tu larguar nga vendngjarja. Por gjatë largimit ata kanë përplasur një tjetër mjet.

Ata janë detyruar të braktisin automjetin e tyre pas aksidentit dhe të largohen në drejtim të paditur me këmbë.
Policia ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tyre, ndërkohë që materialet në ngarkim të dy personave të shpallur në kërkim i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë

Nga veprimet e shpejta hetimore, janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim 2 autorët e dyshuar, shtetasit M. Xh., 30 vjeç dhe S. S., 28 vjeç, të banues në Pogradec, të cilët dyshohet se për motive të dobëta, kanë përplasur qëllimisht, me automjetin tip “Hummer” me të cilin qarkullonin, automjetin e shtetasit E. Ç., 39 vjeç, banues në Pogradec.
Gjithashtu, dyshohet se pas përplasjes, të dy shtetasit kanë dalë nga automjeti, kanë kanosur shtetasin E. Ç., i kanë dëmtuar atij, me sende të forta, automjetin dhe janë larguar me shpejtësi, nga vendngjarja. Gjatë largimit, për shkak të shpejtësisë, automjeti tip “Hummer” është përplasur me një automjet tjetër, me pasojë vetëm dëme materiale. Më pas shtetasit M. Xh. dhe S. S. kanë braktisur automjetin dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen e këtyre shtetasve përpara përgjegjësisë penale./albeu.com/