Zelensky: Jemi gati për kundërofensivë ndaj Rusisë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky falenderoi aleatët perëndimorë të cilët u angazhuan për ta mbështetur Ukrainën për sa kohë të jetë e nevojshme përballë agresionit rus.

Të premten, pas takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u mbajt në Gjermani, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se anëtarët e Grupit kishin dhënë më shumë se 55 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën.

Në fjalimin e të premtes zoti Zelensky tha se Ukraina ishte gati për një kundërofensivë ndaj Rusisë.

Sipas tij, përparësi mbetet vija e parë e frontit dhe Kievi po përgatit brigada dhe njësi të reja për të luftuar në vijën e parë.

Ditën e djeshme, u njoftua gjithashtu se brenda muajit maj 31 tanke amerikane Abrams do të mbërrijnë në një bazë në Gjermani dhe ukrainasit do të fillojnë një trajnim prej 10 javësh për përdorimin e tyre.

Ukraina i ka bërë vazhdimisht thirrje aleatëve të saj për ta furnizuar me tanke dhe armatime përpara kundërofensivës ndaj trupave ruse që pritet të fillojë në javët ose muajt e ardhshëm.

Ndërkohë, mes forcave ukrainase dhe trupave ruse po bëhen luftime të ashpra në qytetin e Bahmutit.

Të shtunën, ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi se trupat e saj kishin vënë nën kontroll edhe tre rajone të tjera në pjesën perëndimore të qytetit./VOA


Shtuar 22.04.2023 16:49