Sulme të reja masive me dronë në Ukrainë, të paktën 4 të vrarë, dhjetëra të plagosur

Të paktën katër persona u vranë herët këtë mëngjes në një sulm me dron rus pranë Kievit, për të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se tregon qartë mungesën e interesit të Moskës për paqen.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave njoftoi përmes aplikacionit të mesazheve Telegram se dy konvikte dhe një objekt arsimor në Rishchiv, 64 km në jug të kryeqytetit, u shkatërruan pjesërisht gjatë sulmit gjatë natës.

Shefi i policisë rajonale Andriy Nebitov tha se 20 persona u dërguan në spital, ndërsa të tjerët rezultojnë ende të zhdukur pasi një seri shpërthimesh ndodhën pas orës 3 të mëngjesit. Pjesa më e madhe e katit të fundit të një konvikti pesëkatësh u shkatërrua nga sulmi. Ekipet e shpëtimit po punojnë për të gjetur të mbijetuar nënë rrënoja.

“Ne shohim se armiku sulmoi përsëri infrastrukturën civile dhe u vranë njerëz të pafajshëm”, shkruan Nebitov në Telegram, duke shtuar se një nga viktimat ishte një shofer ambulance që kishte mbërritur për të ndihmuar të lënduarit.

Zyrtarët e shërbimeve të urgjencës shtetërore thanë se kërkimi për të mbijetuar po vazhdon pas sulmeve.

“Më shumë se 20 drone vdekjeprurëse iraniane, plus raketa, incidente të shumta bombardimesh dhe kjo në vetëm një natë të terrorizmit rus kundër Ukrainës ”, shkroi Zelensky në Twitter.

“Sa herë që dikush përpiqet të dëgjojë fjalën “paqe” në Moskë, aty jepet një urdhër tjetër për sulme të tilla kriminale”.

Forcat e armatosura ukrainase njoftuan se kanë rrëzuar 16 nga 21 dronët e nisur gjatë natës kundër Ukrainës nga veriu.

Rusia, e cila pushtoi Ukrainën 13 muaj më parë, nuk ka dhënë ande asnjë koment për sulmet e fundit./albeu.com.


Shtuar 22.03.2023 13:57