“Buza e re”, arrestohet administratorja që ofronte “shërbime ekstra” në qendrën e masazheve, në pranga dhe 4 punonjëse

Policia ka arrestuar administraoren e qendrës së masazheve ku ushtrohej prostitucion. Në pranga kanë rënë dhe 4 punonjëse, ndërsa pronari është shpallur në kërkim.

Kujtojmë se, Fiks Fare hyri në këto qendra masazhi duke zbuluar sërish mënyrën e punësimit dhe se çfarë ofrohej në to kundrejt pagesës.  Vëzhgimi i Fiksit u shtri në 5 qendra masazhi që nga Komuna e Parisit në Astir e kudo nëpër Tiranë. Shërbimi që ofronin këto qendra ishte po i njëjti; seks kundrejt parave.

Një bashkëpunëtore e Fiksit hyri në këto fole prostitucioni me pretekstin për të gjetur punë si masazhatore, por ajo që mësoi është se këto qendra ofronin gjithçka tjetër përveç masazhit. Madje tek qendra në Astir pronarja shpjegon  se ka dy punëtore dhe se klientët që frekuentojnë qendrën e saj vijnë vetëm për marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës.

Klienti duhet të  paguajë minimumi 4 000 lekë që i merr pronarja e më pas mbetet në dorë të punëtoreve  të seksit  se sa t’u kërkojnë klientëve për veten e tyre. Ajo tregon  se biznesi i saj nuk ka probleme më shtetin,  sepse  edhe  pse ushtron një aktivitet të jashtëligjshëm siç është prostitucioni, ajo i jep ryshfet policisë.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin “Fiks Fare”, për disa qendra masazhesh, në Tiranë, ju bëjmë me dije se:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Tiranë, në vijim të procedimit penal të regjistruar në muajin shkurt të këtij viti, si dhe pas publikimit të pamjeve filmike, bënë ndalimin e shtetases E. O., 30 vjeçe (administratore e një qendre masazhesh), si dhe shpallën në kërkim shtetasin O. Rr., 36 vjeç, banues në Tiranë (pronari i qendrës së masazheve).

Në lidhje me rastet e tjera të transmetuara, janë kryer veprimet procedurale për subjektet e përmendura në video, konkretisht:

– Më datë 10.01.2023, janë arrestuar 2 punonjëse të një qendre masazhesh në rrugën “Teodor Keko”;

– Më datë 27.03.2023, janë arrestuar 6 shtetas (administratori, 1 klient dhe 4 punonjëse), në një qendër masazhesh në rrugën “Teodor Keko”;

– Më datë 19.07.2023, është arrestuar 1 punonjëse e qendrës së masazheve dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 3 shtetase të tjera. (Në vijim të veprimeve procedurale për këtë qendër masazhesh, u bë ndalimi i shtetases E. O. dhe shpallja në kërkim e shtetasit O. Rr.).

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 13.09.2023 11:42