“Perandoria e së keqes” po shndërrohet në një perandori të re kino-ruse

Nga Donald Kirk “The Hill

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik po zhvillonin ende Luftën e Ftohtë, dhe ishin të zëna në shqetësimet e tyre të mëdha në lidhje me kontrollin e armëve dhe përhapjen bërthamore, kur presidenti amerikane Ronald Reagan paralajmëroi gjatë një fjalimit të mbajtur  më 8 mars 1983 kundër “impulseve agresive të një perandorie të së keqes” në “luftën midis e drejtës dhe e gabuara, të mirës dhe të keqes”.

Katër dekada më vonë, këto fjalë tingëllojnë më të vërteta se kurrë më parë. “Perandoria e keqe” e Bashkimit Sovjetik u shpërbë nga fundi i vitit 1991 me rënien e sundimit komunist në territoret që Josif Stalin i kishte rrëmbyer pas shkatërrimeve të mëdha të Luftës së Dytë Botërore.

Nga këndvështrimi i ditëve post-sovjetike dhe post-komuniste, perspektivat për demokracinë në Rusi dhe ish-satelitët sovjetikë dukeshin shumë të ndritshme. Bashkimi Sovjetik mund të mos ekzistojë më, por me pushtimin e tij në shkallë të gjerë të Ukrainës, presidenti rus Vladimir ka shpallur hapur synimin e tij për të ringjallur rolin e Moskës në Evropë dhe gjetkë.

Nga ish-satelitët e Rusisë në Evropën Lindore deri në Korenë e Veriut, ai dëshiron të rikthejë ato që ai i sheh si ditët e madhështisë së Rusisë, duke u kthyer jo thjesht në epokën e sundimit komunist, por në atë të ditëve të lavdisë së carëve.

As fantazitë e Vladimir Putinit për rilindjen e fuqisë ruse në Evropën Lindore nuk janë kujtesa e vetme e ekzistencës së një “perandorie të së keqes” që përballet me NATO-n dhe amerikanët. Ne duhet të falënderojmë presidentin Dëight Eisenhoëer për futjen e një fraze tjetër si “teoria e dominosë”, në diskursin mbi synimet e vërteta të Kinës.

Eisenhoëer doli me këtë tezë në vitin 1954, një muaj përpara se francezët të dorëzoheshin para komunistëve vietnamezë nën gjeneralin Vo Nguyen Giap në Dienbienphu. “Ju keni ngritur një varg dominosh. Nëse ju rrëzoni të parën, dhe të gjitha do të bien një e nga një deri tek e fundit”- tha ai.

Historia funksionon rrallëherë ashtu siç është parashikuar. Prej kohësh ka qenë në modë tallja me “teorinë e dominove”, që thoshte se kombet e Azisë Juglindore do të binin si një varg dominosh nëse ish-kolonitë franceze të Indokinës, Vietnamit, Kamboxhias dhe Laosit do të binin në duart e komunizmit.

Pas vdekjes së Maos në vitin 1976, u çel perspektiva e rilidhjes së marrëdhënieve të Kinës me Amerikën pas shumë vitesh armiqësie, duke përfshirë luftën në shkallë të plotë midis forcave amerikane dhe kineze në Gadishullin e Koresë gjatë viteve 1950-1953.

Më kujtohet që gjatë Revolucionit të Madh Kulturor të Kinës, një diplomati kinez nisi të më  bërtiste me tone të larta kur e pyeta për protestat në rrugët e Hong Kongut, asokohe një koloni britanike. Marrëdhëniet u përmirësuan dukshëm pasi presidenti Richard Nixon dhe Sekretari i Shtetit Henry Kissinger vizituan Kinën në shkurtin e vitit 1972, duke u takuar me Maon dhe Zhou Enlai.

Në dhjetor 1978, presidenti Jimmy Carter normalizoi plotësisht marrëdhëniet diplomatike me Pekinin. Më shumë se një dekadë më vonë, në qershor 1989, Deng Xiaoping shtypi pa mëshirë demonstruesit në sheshin Tiananmen , por në tërësi sundoi si një pragmatist ekonomik, duke inkurajuar kapitalizmin nën sundimin komunist.

Por sa ka ndryshuar vërtet Kina? Më shumë se 25 vit qëkur britanikët ia dorëzuan Hongun Kongut Kinës në vitin 1997, Kina nën Presidentin Xi Jinping, lideri më i fortë që nga koha e Maos, i shtypi protestat ku qytetarët kërkonin të drejtën që ish-kolonia e kurorës britanike të hartonte vetë ligjet e saj dhe të zgjidhte liderët e vet.

Në rast se kombet e Azisë Juglindore nuk po bien si një varg dominosh, situata aktuale mund të shndërrohet një analogji me një ndeshje shahu, në të cilën Kina po kryen lëvizjet më mendjemprehta. Kina mund të mos ketë më shumë vrull mbi pjesën tjetër të rajonit siç u frikësuan jo pak njerëz, por ajo ka i ka zgjedhur mirë objektivat e saj.

Duke e mbështetur Korenë e Veriut më shumë se kurrë më parë, Kina po e kërcënon Tajvanin me një egërsi në rritje, pretendon  sovranitetin dhe ka fortifikuar bazat e saj ushtarake në Detin e Kinës Jugore, si dhe e ka shtrirë ndikimin e saj në Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme, deri në Afrikë.

Sa i përket ish-kolosit sovjetik që Reagan e quajti dikur në një fjalim të shkruar nga Anthony Dolan si “perandoria e të keqes”, ai imazh funksionon ende. Për pasardhësit, etiketimi “perandori e keqe”, është po aq reale sa lutja e famshme e Reagan 4 vjet më vonë “Shembeni këtë mur zoti Gorbachev!”.

Pra ai i kërkoi udhëheqësit të fundit sovjetik që të shkatërronte pengesën që kishte ndarë Berlinin Lindor nga ai Perëndimor që nga viti 1962. Ngjarjet aktuale nxjerrin po në pah ato fraza për të cilat mbahen mend ende sot Reagan dhe Eisenhoëer. Sidoqoftë, tensionet janë potencialisht më të mëdha sot se sa ishin gjatë Luftës së Ftohtë.

Trupat ruse dhe kineze mund të përballen me njëra-tjetrën përtej lumit Amur, por udhëheqësit e tyre e dinë se “armiku i armikut tim është miku im”. Historikisht në mosmarrëveshje përgjatë kufirit të tyre aziatik prej 1600 kilometrash, Rusia dhe Kina janë gjithsesi të bashkuara në zellin e tyre për t’i reduktuar kufijtë e fuqisë kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.

“Perandoria e të keqes” e sundimit të vjetër sovjetik po shndërrohet në një perandori të re kino-ruse, sepse secili prej këtyre vendeve të mëdha po ndjek synime ekspansioniste përtej kufijve tokësorë dhe detarë mijëra km larg njëri-tjetrit. Dyzet vjet pasi Reagan iu kundërvu “perandorisë së keqe” në Moskë, gjithçka e vjetër është sërish e re. /albeu.com

Shënim:Donald Kirk ka qenë gazetar për më shumë se 60 vjet, duke e fokusuar pjesën më të madhe të karrierës së tij në konfliktet në Azi dhe Lindjen e Mesme. Ai është autor i disa librave për çështjet aziatike.

 


Shtuar 22.03.2023 12:26