Kushëriri i rrezikshëm i Ervis Martinjat u arrestua dy ditë më parë, e kaluara e errët dhe saga me drejtësinë për rastet kriminale të Emiljano Ninës

Emiljano Tasho, Nina është kushëriri i të shumëkërkuarit,Ervis Martinaj.

Ai u arrestua nga policia dy ditë më parë, pasi ishte shpallur në kërkim rreth një javë më parë pasi i kishte marrë një personi makinën dhe nuk ia kishte kthyer dhe akuzohet për mashtrim.

Emiljano ( djali i hallos së Ervis Martinjat) është person me precedentë të theksuar kriminal të mëparshëm.

Ai që njihet ndryshe edhe me emrin Emiljano Tasho, është emër i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Në vitin 2015, ai u shpall në kërkim nga policia për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në Tiranë.

Bëhet fjalë për vrasjen e 30-vjeçarit Enton Nikaj që ndodhi në Nëntor në parkingun e një restoranti në Linzë, ku mbeti i plagosur edhe pronari i biznesit.

Emiljano Nina, në atë kohë 20 vjeç, u shpall në kërkim si person i dyshuar për përfshirje në vrasje. Emiljano Tasho është akuzuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë për vrasjen e Enton Nikës, në 11 nëntor 2015 në parkingun e lokal ‘Muraga’ në Linzë të Tiranës.

Fillimisht Tasho është dënuar nga Gjykata e Tiranës për vrasje me dashje me 15 vite burg, armëmbajtje pa leje 5 vite burg, vjedhje me dhunë me 7 vite burg dhe sërish për armëmbajtje pa leje 3 vite burg. Duke aplikuar nenin 55 të Kodit Penal, që parashikon bashkimin e dënimeve, gjykata e ka dënuar Emiljano Tashon me 24 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Tashos i është ulur 1/3 e dënimit, ku përfundimisht është dënuar me 16 vite burg. Vendimi është marrë në 4 maj 2016, pra 7 muaj pas vrasjes, shkruan report.tv. Në nëntor të viti 2016, në veprim ka hyrë Gjykata e Apelit, e cila i ka ulur dënimin Emiljano Tashos nga 24 vite në 21 vite burg. Dhe duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, Gjykata e Apelit e ka dënuar Tashon përfundimisht me 14 vite burg. Vihet re që Prokuroria nuk e ka ankimuar as vendimin e shkallës së parë dhe as të apelit.

Ndërsa Emiljano Tasho nuk është pajtuar as me vendimin e Apelit, duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Në rekurs, Emiljano Tasho pretendon se nuk ka dashur ta vrarë Enton Nikën, por vrasja është bërë nga pakujdesia gjatë përleshjes në parkingun e lokal ‘Muraga’ në Linzë të Tiranës, në 11 nëntor 2015, se nuk është përfshirë në vjedhje me dhunë, se është penduar dhe se është i ri në moshë, ku më i nevojshëm është edukimi se sa ndëshkimi me burg.

Por me 24 janar 2022, Emiljano Tasho ka tërhequr rekursin nga Gjykata e Lartë, duke pranuar vendimin e Apelit. Gjykata e Lartë, më 22 prill 2022, ka vendosur mospranimin e rekursit të Tashos, pasi ky i fundit kishte hequr dorë nga rekursi. Mister mbetet fakti se si Tasho, i dënuar me 14 vite burg në 2016, ishte i lirë. 7 muaj paraburgim i llogariten me 1.5, pra rreth 10.5 muaj. Tasho është arrestuar pas vrasjes në nëntor 2015.

Dënimit prej 14 vitesh, Emiljano Tasho ka arritur t’ia hedhë pas 7 vitesh, ndonëse ende nuk dihet data e lirimit dhe rrethanat, pasi mund të jetë liruar para vitit 2023./albeu.com/


Shtuar 14.04.2023 13:20