Harrojeni “autonominë”: Evropa ka nevojë më shumë se kurrë më parë për SHBA-në

Nga Andreas Kluth “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Javën  e kaluar kancelari gjerman Olaf Scholz ishte i zënë duke u mburrur me urdhrin e tij shumë të vonuar për dërgimin në Ukrainë të tankeve luftarake gjermane “Leopard 2”, në

atë që mund të cilësohet pa frikë si një rast studimi mbi udhëheqjen e kujdesshme.

Sigurisht, ishte një hap i mirëpritur në ndihmë të synimit të Ukrainës për të mundur pushtuesit rusë në fushën e betejës. Por negociatat e gjata dhe të vështira midis aleatëve

të NATO-s që çuan në këtë përparim, na çojnë tek një përfundim tjetër, edhe më i kthjellët mbi Bashkimin Evropian dhe rolin e Gjermanisë në të.

Dhe ai është se sot dhe në të ardhmen e parashikueshme, ashtu si edhe gjatë Luftës së Ftohtë, Evropa mbetet tërësisht e varur nga SHBA-ja për sigurinë e saj. Ana e kundërt e këtij realiteti, është se konceptet e presidentit francez Emmanuel Macron mbi “autonominë” evropiane mbeten ëndrra të çuditshme, dhe për këtë arsye është mirë që qasje të tilla shpërqendruese të lihen mënjanë.

Historia që i dha mundësinë Scholz-it të “lirojë Leopardët” – pra të lejojë dërgesat e tankeve “Leopard 2” të prodhimit gjerman në Ukrainë – është tensioni dhe zhgënjim i madh brenda aleancës transatlantike. Anëtarët lindorë të NATO-s dhe BE-së – Polonia dhe shtetet baltike – kanë ushtruar presion për këto dërgesa që nga vera e vitit të kaluar.

SHBA-ja u bind të dërgonte tanket e veta muajt e fundit. Por gjermanët rezistuan deri javën e kaluar. Arsyeja ishte se Scholz kishte frikë jo vetëm se lufta në Ukrainë mund të shndërrohej në një konflikt të madh e të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s – këtë nuk e dëshiron askush – por që Gjermania mund të gjendej nën shënjestrën e presidentit rus Vladimir Putin.

Ndërsa bisedimet përparuan dhe u bënë më emergjente – dhe në kushtet e një përshkallëzimi të luftimeve në pranverë – Scholz e sqaroi publikisht qëndrimin e tij. Gjermania do të pranonte të dërgonte tanket e saj, vetëm nëse amerikanët do të dërgonin tanket e tyre luftarakë “M1 Abrams”.

Nga pikëpamja ushtarake, transportimi i tankeve “Abrams” nga SHBA në Ukrainë nuk ka dhe aq kuptim. Sepse ata janë ndoshta tanket më komplekse në botë, dhe kërkojnë jo vetëm trajnim më të gjatë, por edhe zinxhirë më kompleksë të furnizimit me karburantet dhe pjesët e tyre të specializuara.

Ukraina ka nevojë për tanke të gjeneratës së fundit, por që të jenë njëherazi lehtësisht të manovrueshëm, më të lehtë për t’u mësuar, si dhe më të shpejtë për t’u transportuar dhe vendosur në front. Dhe tanket “Leopard 2” i përshtaten më së miri këtij përshkrimi.

Për këtë arsye amerikanët i thanë fillimisht jo propozimit të Gjermanisë. Duke e kuptuar rebusin, aleatët e tjerë u përpoqën ta bënin Scholz-in që të jepte miratimin për tanket gjermanë edhe pa dërgimin e tankeve amerikanë “Abrams” në Ukrainë.

Qeveria populiste e Polonisë, e cila po e zhvillon fushatën elektoral bazuar kryesisht në retorikën anti-gjermane, ushtroi një presion publik dhe e turpëroi Gjermaninë, madje duke kërcënuar javën e kaluar se do të dërgonte në Ukrainë disa nga tanket e saj “Leopard 2 pa lejen e Berlinit.

Britanikët patën një qasje më delikate, duke premtuar 14 tanke “Challenger 2”, duke llogaritur se dhënia e shembullit të parë mund t’i jepte Scholz-it justifikimin e mjaftueshëm për ta hedhur atë hap pas shumë muajsh ngurrimi. Por asgjë nga këto veprime nuk mjaftoi për të lëkundur kancelarin nga qasja e tij.

Me sjelljen e tyre polakët vetëm sa e nervozuan atë, siç la të nënkuptohet në fjalimin e tij të mbajtur në Bundestag javën e kaluar. Dhe ai Britaninë si një fuqi perëndimore me një peshë të mjaftueshme për të qenë krahu i djathtë i Gjermanisë. Scholz këmbënguli që të kishte në krah amerikanët.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden e kuptoi se çfarë ishte në lojë. Kësisoj, për arsye politike dhe jo ushtarake, amerikanët u detyruan javën e kaluar të njoftonin se do të dërgonin në Ukrainë 31 tanke “M1 Abrams”, edhe pse mund të duhet shumë muaj që ato të mbërrijnë në fushën e betejës.

Privatisht, zyrtarët në Pentagon dhe Shtëpinë e Bardhë janë të mërzitur nga shqetësimet që i solli sjellja e Scholz-it. Në publik, ata po e lavdërojnë udhëheqjen e tij në mbajtjen të bashkuar të aleancës perëndimore kundër Putinit. Dhe me atë mbështetje, Scholz u ndje i gatshëm që të lejonte dërgimin në frontin e luftës të tankeve ukrainase.

Ajo që ka rëndësi tani, është që tanket e premtuara të arrijnë në kohë në Ukrainë për ofensivat e pritshme në pranverë, si nga pushtuesit ashtu edhe mbrojtësit. Kjo vlen për tanket britanikë “Challengers”, Bradley-t pak më të vegjël, Marders dhe mjete të tjera të blinduara luftarake të premtuara tashmë, por mbi të gjitha për tenket “Leopard”.

Në total, evropianët – nga Gjermania dhe Polonia deri në Spanjë, Holandë, Finlandë etj – mund të dërgojnë rreth 100 tanke. Por futja e tyre në Ukrainë do të jetë një makth, sepse Putin do të synojë t’i eleminojë pa arritur që të angazhonen në betejë. Furnizimi me karburant dhe riparimi i tyre është një tjetër histori, ashtu siç është edhe përdorimi i tyre i duhur për të çarë linjat mbrojtëse ruse.

Një njëri që ka qenë veçanërisht i qetë gjatë kësaj drame diplomatike është Emmanuel Macron. Ai ka lënë të kuptohet se edhe Franca mund të dërgojë disa nga tanket e saj “Leclerc”, por nuk dha më shumë detaje. Fundjavën e kaluar, ai e priti Scholz-in në një takim në Sorbonë, së bashku me qindra ligjvënës nga të dy vendet, për një festë madhështore të 60-vjetorit të Traktatit të Elysee.

Ajo qe marrëveshja që vulosi miqësinë dhe fatin e përbashkët, të Francës dhe Gjermanisë si çifti i plotfuqishëm që një ditë – siç ka shpresuar prej kohësh Parisi – mund të bashkojë një Evropë të fortë duke e larguar atë nga kujdestaria amerikane.

Ajo për të cilën ranë dakord Scholz dhe Biden së fundmi është pozitive për Ukrainën, edhe pse duhet që të pasohet nga më shumë armë dhe mbështetje financiare. Por mirëkuptimi midis tyre e hedh poshtë konceptin se Gjermania është më afër shndërrimit në një  “udhëheqëse” brenda një Evrope, e cila mund të bëhet vetë autonome brenda aleancës perëndimore dhe një fuqi gjeopolitike më vete. Ndoshta është mirë që e kemi kuptuar këtë.


Shtuar 30.01.2023 11:47